Studenti i Harvardit që ktheu historinë

Life style

Studenti i Harvardit që ktheu historinë

Më: 2 dhjetor 2013 Në ora: 16:23

Në Kosovë ai njihet si një person që pëlqen shumë ushqimin e shpejtë (hamburgerat) si edhe i pëlqen të këndojë në karaoke edhe pse nuk ka zë. Gjithashtu atij i pëlqen shumë futbolli dhe është pronar i një lokali në Prishtinë, ku të rinjtë ndjekin ndeshjet.

Ky është Shpend Ahmeti. Sot ai është 35 vjeç dhe në katër vitet e ardhshme do të jetë kryetari i Komunës së Prishtinës. Kandidati i Vetëvendosjes arriti të mundë në këtë garë kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, që gjithashtu është kreu i opozitës në Kosovë.

Prishtina njihej si një nga bastionet e LDK-së, pasi që pas çlirimit të Kosovës, kjo komunë është drejtuar vetëm nga kjo forcë politike. Por, Shpend Ahmeti bëri mrekullinë duke ia hequr këtë bastion pas 14 vitesh.

Kush është? Ai ka studiuar në Universitetin Amerikan në Bullgari për Ekonominë e Zbatueshme dhe Administrim Biznesi në vitet 1996-2000. Dy vite më pas ai nisi masterin në Harvard. Ahmeti u diplomua në këtë universitet të njohur për Analizën e Politikave Publike.

Eksperienca në punë: Prej janarit të vitit 2011 deri në qershor 2012, ka punuar si analist financiar për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Nga tetori i vitit 2007 deri në tetor 2010, Ahmeti ka mbajtur postin e Drejtorit Ekzekutiv në Institutin GAP. Ndërsa nga shtatori i vitit 2005 e në vazhdim, ai është lektor në Universitetin Amerikan të Kosovës. Ai ka punuar gjithashtu edhe për Bankën Botërore.

Karriera politike: Ai prej vitesh ka qenë një nga ekonomistët më të preferuar të gazetarëve. Kjo bëri që ai të shihej gjerësisht si ministër potencial për Ekonominë. Por hyrja e tij në politikë ishte e vonë, pasi kjo ndodhi vetëm në tetor të vitit 2010. Nuk ka qenë pjesë e Vetëvendosjes por bashkë me Ilir Dedën themeluan partinë Fryma e Re. Megjithëse fushata e tyre ishte model, morën një numër të pakonsiderueshëm votash. Në mars të vitit 2011, FER u shkri me Vetëvendosjes dhe Ahmeti u zgjodh zv.kryetar i VV-së.

Jeta private: Ahmeti është i martuar dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Bashkëshortja e tij quhet Ardiana Gjiunolli. Babai i tij, Ali Ahmeti, një aktor i njohur në Kosovë që nuk jeton më, nuk ia ka futur hundët asnjëherë në punët e djalit, por e ka këshilluar atë që të mos bëhet aktor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat