Pasi kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk pranoi referendumin e Mickoskit, vjen reagimi nga OBRM-PDUKM

Maqedonia

Pasi kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk pranoi referendumin e Mickoskit, vjen reagimi nga OBRM-PDUKM

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 22:29
Foto ilustrim

“Talat Xhaferi në mënyrë të kundërligjshme ia ka caktuar vetes rolin e gjykatësit kushtetues”, tha në konferencën e sotme për media deputetja e OBRM-PDUKM-së, Dafina Stojanoska.

Sipas saj, pushteti ikën nga ballafaqimi me popullin sepse e dinë se do të ketë dalje në referendum dhe e dinë se populli është kundër marrëveshjes e cila është burim asimilimi.

“Xhaferi është kampion në thyerjen e Kushtetutës, për të cilën nuk ka shembull tjetër në botë. Iniciativa për referendum është në përputhje me nenin 24 të Ligjit për referendum dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe ai nen lejon shpalljen e referendumit”, ka theksuar Stojanoska.

Ajo theksoi se kjo do të prish edhe më shumë marrëdhëniet në Kuvend, për çka fajin do ta ketë qeveria.

“Nuk bëhet fjalë për ndryshimin e marrëveshjes ndërkombëtare, pyetja e referendumit është nëse jeni për ndërprerjen e vlefshmërisë së marrëveshjes me Bullgarinë”, tha Dafina Stojanoska, deputete.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot pasdite e hodhi poshtë iniciativën e OBRM-PDUKM-së për referendum për anulimin e marrëveshjes me Bullgarinë.

Në përgjigjen e tij ndaj kryetarit të OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, Xhaferi shkruan se iniciativa për referendum nuk është në përputhje me Kushtetutën, e cila thotë se marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat