Marketet me përfitime milionëshe në RMV, Ademi: Janë kompani që i shtrydhin punëtorët, por pak i paguajnë

Maqedonia

Marketet me përfitime milionëshe në RMV, Ademi: Janë kompani që i shtrydhin punëtorët, por pak i paguajnë

Më: 13 maj 2023 Në ora: 20:20
Foto ilustrim

Kështu duket lista e marketeve më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor për vitin që lamë pas.

Në këtë listë prinë Marketi KAM, i cili ka realizuar qarkullim prej 630 mijë euro në ditë, ose 232,7M euro në vit. Pas tij vjen Kipperi me qarkullim ditor prej 370.000 euro ose 136,7M euro në vit.

Mirëpo sa i përket përfitimeve ashtu si në vitin 2021, njëjtë edhe vitin e kaluar, rekordin në fitim e mban “Veropolus” me fitime neto të realizuara prej 9.2 milionë euro, tregon analiza e pari.com.mk. Ajo që është interesante për “Vero” është shuma e marzhës të fitimit në raport me të ardhurat prej 90.4 milionë euro dhe fitimin neto prej 9.2 milionë euro. Kompania greke ka një marzh fitimi neto deri në 10%. Këto të dhëna janë befasuese edhe për ekonomistin Visar Ademi.

“Këto janë kompani të cilat e shtrydhin fuqinë punëtore, janë kompani të cilat japin shumë më pak punonjësve që janë brenda këtyre marketeve dhe në dëm të fuqisë punëtore dhe të qytetarit, por me benefitin e madh, sepse fitimi i tyre ishte shumë i madh edhe për surprizën time. Kjo tregon që jemi opurtunist në veprim edhe ja edhe rezultati, vijnë kompanitë e bastoreve, vijnë kompanitë kazinot dhe supermarketet. Kompani të cilat nuk kanë, apo në qoftë se kanë, kanë shumë pak vlerë të shtuar në ekonomi”, tha ekonomisti Visar Ademi.

Sipas Ademit në vend të supermarketeve dhe kompanive të lojërave të fatit, të cilat operojnë mbi fatkeqësinë e qytetarit, siç shprehet ai, me përfitime më të mëdha duhet të jenë kompanitë që janë prodhuese, të cilat fitimin e kthejnë mbrapsht dhe krijojnë vende të reja të punës.

“Duhet të jenë kompani të cilat janë prodhuese, domethënë sektori prodhues duhet të jetë shumë aktiv dhe të jenë kompani të cilat bazohen mbi inovacione dhe kreativitet, duhet të jenë kompani të Teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të cilat sot janë me rritje goxha të madhe në Botë dhe Europë dhe të jenë të gjitha ato kompani që sot përfitojnë nga shkëmbimi i njerëzve, mallrave, turizmi e kështu me radhë”, shtoi Ademi.

Ademi shtoi se kjo gjendje vjen si rezultat i mospasjes së një strategjie makro-ekonomike, mos pasjes së një strategjie sektoriale. Sipas tij madje nuk ka as strategji për sipërmarrësinë dhe nuk ka strategji të veçantë për të ndihmuar kompanitë e eksporteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat