Bizneset kundër “taksës së solidaritetit” për fitimin shtesë në Maqedoni

Maqedonia

Bizneset kundër “taksës së solidaritetit” për fitimin shtesë në Maqedoni

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 13:11
Foto ilustrim

Odat Ekonomike të Maqedonisë së Veriut kundërshtojnë një propozim-ligj për vendosjen e një tatimi të ri për bizneset, që ndryshe njihet si “taksa e solidaritetit”.

Propozimi ka kaluar fazën e parë dhe miratimi pritet të bëhet me procedurë të përshpejtuar ndërsa përfshin të gjitha kompanitë, të cilat kanë shënuar përfitime.

Bizneset thonë se kjo taksë synon të godasë kompanitë “lojale”, penalizon kompanitë e suksesshme dhe pengon investitorët ndërsa “mbron bizneset joformale që po e dëmtojnë ekonominë e vendit”.

Sipas Ministrisë së Financave, propozimi synon vendosjen e tatimit shtesë për të gjitha kompanitë që kanë realizuar mbi 10 milionë euro të ardhura vjetore, apo të gjitha kompanitë që kanë realizuar fitim mbi 20 për qind më shumë në krahasim me vitin paraprak, do të paguajnë taksa shtesë.

Nga “tatimi solidar”, pas miratimit të ligjit, Qeveria synon të arkëtojë mbi 140 milionë euro, të cilat do të përdoren për të ndihmuar ekonominë vendore.

Kjo taksë do t’i dekurajojë kompanitë e suksesshme, të cilat janë të orientuara kah investimet…” Nga Qeveria thonë se kompanitë duhet ta pranojnë këtë masë, pasi ishte pikërisht Qeveria ajo që i ndihmoi kompanitë me subvencione të shumta gjatë krizës së pandemisë me COVID-19 dhe së fundi me krizën energjetike dhe të karburanteve.

Ligji pritet të përfshijë mbi 200 kompani, disa prej të cilave kanë realizuar fitime të majme si “Makpetrol” rreth 600 milionë euro, “Alkaloid” rreth 230 milionë euro, “Feroinvest” – 113 milionë euro dhe “Pekabesko” mbi 85 milionë euro, bazuar në të dhënat e Bursës maqedonase.

“Atyre që kanë investuar dhe janë treguar të suksesshëm, pavarësisht periudhës kohore, tani do t’u shtohet një tatim ekstra. Ky ligj vepron në mënyrë retroaktive andaj nuk është normale të kalojë sepse kompanitë nuk mund t’i planifikojnë financat e tyre. Nuk mund të planifikojnë mënyrën e funksionimit të punës. Ky ligj gjithsesi se do të keqpërdoret, sepse ka shumë kompani që do të gjejnë mënyra të ndryshme për të mos treguar fitimin e tyre të plotë, për t’iu shmangur taksës e cila në këtë rast godet kompanitë e mëdha”, thotë Goran Georgievski, përfaqësues i Lidhjes së Odave Ekonomike.

Propozimi kundërshtohet edhe nga Dhoma e Tregtisë.

“Fitimi i realizuar nga kompanitë i nënshtrohet tatimit, pavarësisht nëse është rezultat i kushteve të tregut apo rezultat i veprimtarisë së tyre, pra rezultat i rritjes së investimeve, përmirësimit të produktivitetit, pushtimit të tregjeve të reja etj. Kjo taksë do t’i dekurajojë kompanitë e suksesshme, të cilat janë të orientuara kah investimet, pra kompanitë që kanë investuar në vitet e mëparshme do të vihen në pozitë të pafavorshme”, thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë.

Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë taksë kompanitë do të paguajnë gjoba vetëm pse janë të suksesshme.

“Kjo jep një mesazh shumë të keq sa i përket investimeve, por edhe kompanive individuale që më pas mund të kalojnë në kompani makroekonomike pasi kjo tregon se ato që kanë sukses dhe projekte zhvillimore, do të penalizohen, do të tatimohen në mënyrë shtesë. Dhe, në anën tjetër, amnistohet konkurrenca jolojale dhe ekonomia joformale, e cila arrin në 22 për qind të Prodhimit Bruto Vendor. Institucionet duhet të punojnë në kyçjen e tyre në sistem dhe jo t’i tatimojnë shtesë kompanitë e suksesshme”, thotë Zeqiri.

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut, ashtu si pjesa tjetër e botës, ishte e para që u prek nga pasojat e krizës nga COVID-it, e cila u pasua nga kriza energjetike, e cila nga ana tjetër çoi në rritjen e çmimeve dhe të inflacionit.

Për të zbutur pasojat Qeveria maqedonase miratoi disa masa të ndihmës – subvencionoi pagat, ofroi kredi të favorshme, uli tarifat doganore, TVSH-në, subvencionoi faturat e energjisë elektrike për kompanitë, lehtësoi masat për instalimin e fotovoltaikëve. Por, të gjitha këto përfitime tani ato duhet t’i kthejnë përmes “taksës së solidaritetit” në rast se miratohet ligji.

Në mbështetje të bizneseve ka dalë opozita maqedonase duke e kundërshtuar draft-ligjin, por edhe duke u premtuar kompanive që në rast të ndërrimit të pushtetit, ky ligj do të shfuqizohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat