Autobusët e rinj, shqipja jashtë përdorimit

Maqedonia

Autobusët e rinj, shqipja jashtë përdorimit

Më: 3 janar 2013 Në ora: 11:40

Gjuha shqipe vazhdon të mos respektohet nga Ndërmarrja e Transportit Publik dhe kreu i saj Misho Nikollov. Edhe 79 autobusët e rinj që u prezantuan sot para qytetarëve nuk kishin asnjë mbishkrim në gjuhën shqipe. Tabelat elektronike, edhe sinjalistika orientuese e tyre, si jashtë dhe brenda, është vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik.

‘Edhe pse para disa ditësh, drejtori i NTP-së fajësoi softuerin e autobusëve për mosrespektimin e dygjuhësisë në këtë ndërmarrje, faktet flasin të kundërtën. Edhe sot në promovimin e 79 autobusëve të rinj të kësaj ndërmarrjeje, gjuha shqipe është anashkaluar dhe këtë e tregojnë më së miri edhe pllakat jo elektronike të cilat janë vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik’.

Kujtojmë se drejtori i NTP-së Misho Nikollov pati deklaruar se po punohet intensivisht për aplikimin e dygjuhësisë, por pa dhënë sqarime për lëshimet që janë bërë gjatë përgatitjes së soutferit, për moszbatimin e shqipes në biletat e shtypura apo në tabelat e stacioneve të deritanishme.

“Për momentin, NTP-Shkup po shqyrton mundësitë. Na nevojiten ndryshime të softuerit, nuk mund të precizojë saktë se deri kur do të ndryshojë ai, por së shpejti do të kemi ndryshime në këtë sferë dhe në autobusët tanë informacionet do të jenë edhe në gjuhën shqipe”, deklaroi Misho Nikollov, drejtor i NTP-së Shkup.

Megjithatë, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, drejtori Nikollov mund të ndiqet penalisht për shkelje të ligjit për përdorimin e gjuhëve, dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg. Në bazë të nenit 138 të Kodit penal;

Paragrafi 1 - ai që do t’ia marrë ose kufizojë qytetarëve të drejtën e garantuar me kushtetutë, ligj, apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare për përdorimin e gjuhës dhe shkrimin, do të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg.

Paragrafi 2 - Nëse vepra e paragrafit 1 kryhet nga personi me detyrë zyrtare, ai do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.

Nga prokuroria thonë se deri tani, askush nuk ka ngritur padi ndaj drejtorit Nikollov. Në rast të konkretizimit të padisë, e cila mund të ngrihet edhe nga qytetari i thjeshtë, ai do të ndiqet penalisht. (as)


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat