Zbehen pritjet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese

Maqedonia

Zbehen pritjet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 21:26
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të premten u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që janë për integrimin evropian të këtij shteti që “me vepra të demonstrojnë përkushtimin e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Pas 17 vjetësh pritjeje, po hyjmë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit. Kemi edhe një sfidë tjetër, ndryshimin e Kushtetutës për vazhdimin e negociatave për kapitujt, që presim të imponojnë një ritëm të përshpejtuar të reformave. Besoj se tani është koha e duhur që të gjitha partitë politike që mbështesin integrimin evropian në programet e tyre, të demonstrojnë angazhimin e tyre në vepra”, ka deklaruar Xhaferi në një konferencën në Shkup kushtuar dialogut ndërparlamentar për avancimin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor.

Thirrja e Xhaferit u bë në kohën kur Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është në prag të dështimit të miratimit të ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, që është kusht për vazhdimin e bisedimeve të integrimit evropian.

Drejtuesit e institucioneve maqedonase besonin që, pas arritjes së marrëveshjes me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit, bazuar në atë që njihet si “propozim francez”, në korrik të vitit 2022, ndryshimet kushtetuese do të miratoheshin në tetor apo më së voni deri në fillim të nëntorit të vitit 2023. Mirwpo, gjasat që kjo të ndodhë janë minimale.

Shumica parlamentare nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave në Kuvend për ndryshimin e Kushtetutës.

Edhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha se gjasat që ndryshimet të miratohen tashmë tepër të vogla.

“Unë jam një realist i mirinformuar. Nëse do të ishte ndryshe, diçka në Kuvend do të duhej të ndodhte. Tetë deputetë, aq sa nevojiten për të arritur një shumicë prej dy të tretash nuk mund të bien nga qielli. Nuk shoh asnjë tregues për një gjë të tillë. Të gjithë deputetët e VMRO DPMNE-së kanë nënshkruar deklarata të noterizuara se nuk do të votojnë për amendamentet e Kushtetutës, edhe pse nuk kanë peshë ligjore, por ata këtë e kanë bërë”, tha Pendarovski për Televizionin 21.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, tha të premten se do të ishte “humbje e madhe për Maqedoninë e Veriut nëse kësaj radhe nuk arrin t’i nisë bisedimet me BE-në për anëtarësim”.

“Besoj se nuk ka pengesa të pakalueshme. Jam i bindur se Kuvendi dhe deputetët do të jenë në krye të detyrës dhe do të zhvillojnë një dialog të shpejtë dhe konstruktiv për të përmbushur detyrimet tona që të mund ta kalojmë edhe këtë sfidë. Është në interesin tonë që këtë ta bëjmë pasi alternativë tjetër nuk kemi”, u shpreh Mariçiq.

Partitë në pushtet shpresojnë në rritjen e presioneve në ditët në vijim nga përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në këtë kuadër e shohin edhe vizitën në Shkup të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e fundit të muajit tetor.

Por, partia opozitare, VMRO DPMNE, tashmë ndryshimet kushtetuese i quan të “dështuara” dhe thuajse çdo ditë përsërit kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në të cilat sipas kësaj partie, “populli do të vendosë se cilin opsion do të mbështesë, atë që tenton të rrënojë identitetin maqedonas me nënshtrimin ndaj dikatit bullgar, apo opsionin e opozitës që kërkon garanci nga BE-ja se kërkesat bullgare do të ndalen me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë”.

Në debatin për zgjedhje janë përfshirë edhe partitë që janë pjesë e Qeverisë, por ato thonë se zgjedhjet do të jenë të rregullta, në afatet e parapara për në vitin 2024, së pari zgjedhje presidenciale e më pas zgjedhje parlamentare./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat