OBRM-PDUKM e quan dyfytyrësi deklaratën e Talat Xhaferit për kodin zgjedhor

Maqedonia

OBRM-PDUKM e quan dyfytyrësi deklaratën e Talat Xhaferit për kodin zgjedhor

Më: 9 mars 2024 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Dyfytyrësi e quan OBRM-PDUKM-ja deklaratën e kryeministrit Talat Xhaferi për kodin zgjedhor, me ndryshimin e të cilit partitë thonë se do t’u mundësohet votimi rreth 100 mijë votues që nuk kanë dokument të vlefshëm identifikimi. Xhaferi një herë kishte deklaruar se këto qytetarë kanë mjaft kohë deri në zgjedhje për t’u pajisur me dokumente të reja dhe nuk ka nevojë për ndryshime ligjore, kurse pasi u bënë ndryshimet ligjore, ai tha se ndryshimet janë selektive dhe nuk e zgjidhin problemin deri në fund.

“Kryeministri teknik Xhaferi si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv mundet të propozojë ligje, si një ndër propozuesit e autorizuar. Nëse ai vlerëson se ekziston modus i caktuar se si duhet të veprohet me dokumentet në procesin zgjedhor, duhet atë ta propozojë në Kuvend. Megjithatë është dyfytyrësi dhe duhet të kujtojmë se pak ditë para miratimit të ndryshimeve në Kodin zgjedhor me të cilat u mundësua votim edhe me pasaporta të skaduara dhe dokumente personale, vetë ai tha se nuk ka nevojë për miratimin e këtij ligji”, tha Mile Lefkov, OBRM-PDUKM.

Alsat kërkoi qëndrim edhe nga LSDM-ja por deri në këto momente nuk morëm përgjigje. Xhaferi qëndrimin për ndryshimet në Kodin zgjedhor e bëri të ditur dje.

“Zgjidhja është e pjesshme, s’është e plotë. Praktikisht unë dhe ju nëse kemi dokumente të skaduara 9 muaj para 24 prillit do të votojmë më 24 prill por çfarë do të bëjmë më 8 maj? Sepse do të jetë afat më i gjatë se 9 muaj. Faktikisht duke dashur të shmangim një përjashtim, bëjmë një përjashtim tjetër. Kështu që zgjidhja, nëse është vendosur të bëhet me ligj, të jetë e hapur që qytetarët të mund të votojnë me dokumente të skaduara, pa marrë parasysh kur u kanë skaduar dokumentet”, tha Talat Xhaferi, kryeministër teknik.

Problemin e kishte bërë të ditur javë më parë ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski i cili tha se janë rreth 100 mijë qytetarë që janë në listën zgjedhore por nuk janë dokument të vlefshëm identifikimi me të cilin të mund të votojnë. Kuvendi tre ditë më parë ndryshoi Kodin zgjedhor dhe hapi mundësinë që në zgjedhje të mund të votojnë edhe qytetarët që kanë pasaporta të skaduara jo më gjatë se 9 muaj para ditës së zgjedhjeve. Respektivisht, më 24 prill do të mund të votohet edhe me pasaporta që kanë pasur afat deri më 24 korrik 2023, kurse më 8 maj do të mund të votohet edhe me pasaporta që kanë pasur afat deri më 8 gusht 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat