Car Dushani në mes të Shkupit!

Maqedonia

Car Dushani në mes të Shkupit!

Më: 3 dhjetor 2013 Në ora: 19:21

Përmendorja e Car Dushanit përjetësohet në mes të Shkupit, aty ku për herë të parë u shpall car i Serbisë, në periudhën më të vështirë për shqiptarët e Ballkanit.

“Dikur mund t’i jenë dridhur eshtrat nga shqiptarët, por tani figura e tij përjetësohet në mes të Shkupit. Se çfarë rëndësie ka Car Dushani për historinë e Maqedonisë nuk është e qartë, por që paraqet provokim për shqiptarët, nuk ka asnjë dyshim!”

Historianët e kanë pritur me habi lajmin e ngritjes së përmendores së Stefan Dushanit, duke ditur bëmat e tij kundër shqiptarëve në atë kohë.

“Është me të vërtetë një lajm trishtues, të ngresh përmendore midis Shkupit i cili ka qenë pushtues të këtyre trojeve gjatë sundimit të tij. Është e dëmshme, është e palogjikshme të shënohet dhe të ngrihet shtatorja e këtij sundimtari të ashpër mesjetar në ditën e sodit. Edhe pse ne të gjithë anojmë kah Evropa, sot ngremë përmendore të atyre pushtuesve të cilët kurrë nuk ia kanë dashur të mirën këtij populli. Prandaj është e papranueshme për shqiptarët, por edhe për popujt e tjerë, të ngrihet përmendore e Car Dushanit”, tha Vebi Xhemaili, historia.

Nga BDI-ja nuk dëshirojnë të komentojnë vendosjen e përmendores së Car Dushanit në Shkup. Disa janë jashtë shtetit, disa me grip, e disa nuk e dinë se kush ka qenë Car Dushani. E kush ishte Car Stefan Dushani? Ai morri fronin mbret i Serbisë duke rrëzuar nga pushteti babin e tij, e më pas urdhëroi vrasjen e tij me varje. Në vitin 1346 pikërisht në Shkup u shpall Car i Serbisë. Gjatë 24 viteve në krye të shtetit serb, Car Dushani pushtoi të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët duke filluar me Kosovën, Shqipërinë, Shkupin e Janinën. Shqiptarët për gjatë gjithë kohësh e kundërshtuan regjimin e Dushanit.

Në ditët e sotme, ndërsa Shkupi mbushet me Car Dushana, 3 përmendoret e vetme shqiptare, pjesë të projektit “Shkupi 2014”, vazhdojnë të mos vendosen. Integristët nuk kanë përgjigje as për këtë çështje. Para 16 muajsh, BDI-ja pohonte se procedura për vendosjen e përmendoreve po vijon sipas parashikimeve, por sot e kësaj dite, ato nuk janë vendosur.

“Të gjitha procedurat të cilat janë të paraparë për vendosjen e këtyre përmendoreve rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Ajo që është me rëndësi të theksohet se projekti Shkupi 2014 nuk është më projekt mono-etnik, ashtu siç e kemi trashëguar por bëhet fjalë për një projekt shumë etnik që do të reflektojë karakterin shumë etnik të kryeqendrës dhe Maqedonisë”, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë (08.08.2012).

Nga Ministria e Kulturës nuk shpjegojnë se kur do të vendosen përmendoret e shqiptarëve, e as simbolikën e vendosjes së Car Dushanit në Qendër të Shkupit. Pavarësisht qëllimit të autoriteteve, shqiptarët e Shkupit e konsiderojnë si provokim ngritjen e përmendores së Car Stefan Dushanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat