‘Car Dushani’, historianët maqedonas të ndarë në qëndrime

Maqedonia

‘Car Dushani’, historianët maqedonas të ndarë në qëndrime

Më: 5 dhjetor 2013 Në ora: 00:15

Historianët maqedonas shprehen të ndarë rreth ngritjes së përmendores së Car Dushanit në zemër të Shkupit. Teksa një pjesë e tyre mbrojnë idenë se Car Dushani paraqet një figurë të rëndësishme për historinë maqedonase, pjesa tjetër e tyre shprehnin të kundërtën, se si pushtues i këtyre trevave figura e Car Dushanit nuk duhej përjetësuar në qendër të kryeqytetit. Për historianin Millan Boshkovski nga Instituti për Histori Kombëtare, Car Dushani-mbreti serb i kurorëzuar si Car në Shkup në sundimin 24 vjeçar në Maqedoni dhe i njohur për fushatën ortodokse me ngritjen e kishave e manastireve, meriton të nderohet si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Maqedonisë. Boshkovski madje, e krahason veprimtarinë e Dushanit me atë të Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut.

“Të gjithë sundimtarët që kanë kaluar përmes Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Serbisë, kanë qenë pushtues. Pra nuk duhet që figurat e mesjetës t’i cilësojmë me terma bashkëkohorë si pushtues. Fundja edhe Aleksandri i Madh ka qenë pushtues, pasi ai ka sunduar nga Maqedonia, nga lumi Danub në jug deri në lumin Ind. Nga Aleksandri i Madh janë frymëzuar mbretërit romakë dhe bizantinë. Në trashëgiminë kulturore mbarë-botërore ai njihet si një luftëtar i madh, reformues i cili është përkushtuar për bashkimin e popujve dhe kulturave sikurse BE-ja e sotme, prandaj nuk do duhej ta cilësonim Car Dushanin si pushtues. Ai ka qenë një car i cili ka sunduar në disa vende. Fundja, do duhej ta shikonim si Skënderbeun, Skënderbeu ka luftuar kundër osmanëve, ai ka qenë i krishterë, ai ka luftuar për një ide humane, për marrëdhënie ndër-njerëzore dhe ndër-religjioze, prandaj nuk ka të dhëna se Cari Dushani ka bërë padrejtësi ndaj ndonjë populli apo vendi”, deklaroi Millan Boshkovski, historian-Instituti për histori kombëtare.

Megjithatë qëndrim plotësisht të kundërt ka shprehur historiani nga Fakulteti Filozofik, Aleksandar Atanasovski. Në një deklaratë për të përditshmen ‘Nova Makedonija’, Atanasov ka shprehur habi nga ngritja e përmendores në Shkup.

“Edhe pse cilësohet si car maqedonas, Dushani megjithatë ka qenë pushtues i këtij territori dhe ka nënshtruar maqedonasit nën sundimin serb. Nëse shkojmë në bazë të kësaj logjike atëherë ne duhet që të ngremë përmendore ndaj çdo pushtuesi, sikurse sundimtarëve bullgarë Boris, Simeon, Petar, Ivan Aseni II, Kallojanit madje edhe gjithë sulltanëve turq”- është shprehur Atanasovski.

Nga ana tjetër, në Enciklopedinë Maqedonase të Akademisë së Shkencave thuhet se Car dushani është mbret serb dhe car, i cili ka udhëhequr luftëra të suksesshme në vendet fqinje. Ai ka nënshtruar territore bizantine të Ballkanit, Thesalisë, Epirit, Shqipërisë si dhe pjesën më të madhe të Maqedonisë, duke i zgjeruar kufijtë e shtetit serb në jug të Gjirit të Korintit. Gjatë kësaj periudhe ai ka mbajtur titullin Car i Serbëve dhe Grekëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat