Qyteti i Shkupit distancohet nga Car Dushani

Maqedonia

Qyteti i Shkupit distancohet nga Car Dushani

Më: 6 dhjetor 2013 Në ora: 17:40

Edhe Qyteti i Shkupit mohon përgjegjësinë për vendosjen e përmendores së Car Dushanit në Qendër të Shkupit. Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski thotë se Qyteti nuk ka kompetencë për vendosjen e përmendoreve. Madje as ai nuk ka njohuri se cili institucion mund të ketë miratuar vendimin për vendosjen e tij, dhe kush e ka porositur e financuar këtë përmendore.

“Qyteti i Shkupit nuk ka kompetenca për vendosjen e përmendores’, tha Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski tha sot se nuk ka çka të shtojë më tepër nga deklarata e para dy ditëve e kësaj Komune, ku shpjegojnë se Car Dushani bashkë me 8 përmendore të tjera në Urën e civilizimeve janë të vendosura pa vendim të Këshillit Komunal

“Komuna Qendër ose Këshilli i Komunës Qendër ka marrë vendim për vendosjen e 29 përmendoreve në Urën Sy. Në mesin e atyre 29 përmendoreve të përpunuara dhe të paguara nga Komuna Qendër përmes Ministrisë së Financave, nuk është parashikuar përmendore e Car Dushanit”, u përgjigj kohë më parë Katerina Canevska, zëdhënëse e Komunës Qendër.

Nga ana tjetër, kryetari i mëparshëm i Komunës Qendër Vlladimir Todoroviq nuk u përgjigjet thirrjeve telefonike për të shpjeguar përgjegjësinë e autoriteteve të mëhershme të Komunës rreth vendosjes së Car Dushanit. Ditë më parë edhe Ministrja e Kulturës pohonte se dikasteri që drejton ajo nuk është porositës dhe financues i përmendores. Përderisa rritet misteri rreth asaj se kush e ka porositur vendosjen e përmendores së Car Dushanit në Shkup, vazhdojnë reagimet e opinionit shqiptar. Së fundmi, me një reagim jo shumë të qartë është prononcuar edhe Shoqata e Veteranëve të Luftës.

“Shtatore provokuese për luftënxitje ballkanike. Ajo është ngritur për t’iu kundërvënë Aleksandrit të Madh në aeroportin e Shkupit, Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Shkup, Projektit të vitit 2014, Kompleksit Memorial “Nëna Shqiptare”, prandaj, ne kërkojmë sqarim urgjent nga Ministria e Kulturës dhe nga Qeveria, ndërhyrjen e ambasadorit të SHBA-së dhe Gjermanisë”, thuhet në reagimin e SHVL UÇK.

Ndërkohë autoritetet vazhdojnë të mos kenë përgjigje edhe për 3 përmendoret shqiptare që duhet të vendosen në kuadër të projektit Shkupi 2014, e që ende nuk kanë zënë vendin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat