Policia mbron Car Dushanin nga protestuesit

Maqedonia

Policia mbron Car Dushanin nga protestuesit

Më: 7 dhjetor 2013 Në ora: 22:30


Numër i madh i pjesëtarëve të policisë dolën sot në mbrojtje të Car Dushanit, teksa një grup qytetarësh në mënyrë të qetë protestuan dhe tentuan të mbulojnë Carin me pëlhurë të zezë. Organizatorët e protestës u penguan nga policia në tentimin e tyre. Afrim Gashi, organizator i protestës tha së qëllimi ka qenë shprehja e pakënaqësisë dhe jo rrënimi i përmendores.

“Тhirrjen për protestën e sotme e bëra haptas dhe ja ku jam haptas para gjithë juve, ndërsa ata që ndërtojnë tinëz edhe rrënojnë tinëz. Meqë ditëve të kaluara u krijua një gjendje amullie e mospranimi i autorësisë së kësaj përmendoreje, e mora këtë iniciativë thjesht personale e qytetare që, përmes kësaj, ta kuptojmë saktë dhe qartë se kush e ka vendosur këtu këtë beton të quajtur Car Dushan. Këtë do ta bëjmë duke e mbuluar përmendoren me pëlhurë të zezë të turpit dhe ata që do ta zbulojnë, do t’i konsiderojmë si autorë të vendosjes së përmendores”, tha Afrim Gashi, organizatori i protestës.

Nga ana tjetër, me iniciativë të Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, është formuar një këshill për zhvendosjen e përmendores së Car Dushanit nga Shkupit.

“Është formuar këshilli për dislokimin dhe largimin e kësaj përmendoreje nga vendi ku është vendosur, por edhe bën mirë të zhvendoset nga territori i Maqedonisë. Është njoftuar ambasada serbe që në mënyrë tepër të civilizuar, pa e dëmtuar shtatoren, ta dërgojmë në ambasadë, e pastaj ambasada çka të dojë le të bëjë me mbretin e tyre, sepse për ta ai ka rëndësinë e vet historike”, u shpreh Daim Hiseni, kryetar i Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve.

Sipas iniciatorëve të idesë për zhvendosjen e përmendores, tashmë janë kontaktuar edhe kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski dhe kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat