Policia dhe ushtria maqedonase luftuan mes vete e jo me UÇK-në!

Maqedonia

Policia dhe ushtria maqedonase luftuan mes vete e jo me UÇK-në!

Më: 11 maj 2015 Në ora: 11:17

Publicisti i njohur nga Kosova, Baton Haxhiu rrëfen se gazetari nga Zvicra, Xhemajl Ahmeti me një ekip ndërkombëtar e kanë vëzhguar për së afërmi fillimin e aksionit policor në Kumanovë që ka filluar disa minuta pas orës katër të mëngjesit, ditën e shtunë, bën të ditur Zhurnal.
Këta janë dëshmitarë ku kanë vërejtur me dylbi se si policia dhe ushtria ishte ndarë në dy pjesë dhe menjëherë kishin filluar sulmet ndaj njëri tjetrit, sikur të gjuanin me plumba gome dhe më vonë iu kthyen lagjes së Trimave në Kumanovë dhe filluan të gjuajnë nëpër shtëpi.
Në opinionin e tij, Haxhiu përmend se skenarë të tilla kanë ndodhur edhe n ëish republikat jugosllave kur qeveritë kanë vrarë policë dhe civilë të pafajshëm me të vetmin qëllim për të mbetur në pushtet.
Haxhiu, kryeministrin Gruevski në një moment sipas ndërkombëtarëve, e quan hajn ballkanik.
Ja çfarë shkruan Baton Haxhiu
Rasti i ngjashëm po del të jetë edhe ai i vrasjes te Liqeni. Kjo ka qenë nisma e një konflikti të paralajmëruar nga një autokrat që e ka ditur se do t’i vijë dita kur do të përballet me hajni dhe me shkelje të rregullave të shtetit.
Ndërkombëtarët e quajtën Kryeministër i Përmendoreve, kurse rajonalët Autokrat dhe Hajn Ballkanik.
Po çfarë po ndodh në Maqedoni, respektivisht në Kumanovë?!
Ka disa ditë që Xhemajl Ahmeti, gazetar nga Zvicra, me një ekip ndërkombëtar gjendet në Kumanovë. Po mundohen të bien në kontakt me njerëz të UÇK’së që paskan vendosur të luftojnë. Kanë ecur gjithandej dhe kanë folur me shumë njerëz.
Nuk ka asnjë indikacion konkret të jetë çuar dikush në luftë. Aty-këtu thonë të kenë parë grupe të uniformuara, mirëpo sa më shumë që thellohen me pyetje, del puna se gjithçka është rrëfim i zbrazët.
Kishin udhëtuar një ditë më herët në Kumanovë, sepse Qeveria kishte ngritur një ballon informate se do të ketë sulm natën. Mirëpo, sulmi kishte ndodhur në orën 4 e disa minuta.
Më herët, me dylbi kishin vërejtur se ishte e ndarë ushtria dhe policia në dy pjese. Kur kishin filluar sulmet, gjithçka dukej sikur me plumba gome gjuanin njëra-tjetrën. Më vonë, iu kthyen lagjes dhe filluan të gjuajnë shtëpi. Dhe atë sikur t’i kishin kryqëzuar të gjitha shtëpitë natën për t’i shënjuar pastaj me plumba.
Policia dhe ushtria arrestojnë dhe vrasin dhe askush s’e di se me kë luftojnë. I gjuajnë shtëpitë e shqiptarëve, shkruan Xhemajli, dhe mezi presin që dikush nga shqiptarët të rezistojë duke mbrojtur shtëpinë e tij, për ta gjuajtur dhe bombarduar.
Ky është rrëfimi i mëngjesit të ditës së sotme.
Këtu bën dikush lojë te piste dhe do me çdo kusht t’i shtyjë shqiptarët në luftë. Të huajt nuk janë të sigurt. Kosova dhe fetarët nuk janë në lojë. Kush mbetet? Gruevski dhe Mijalkov! Dy kushërinj, njëri Kryeministër e tjetri Shef i Shërbimit Maqedonas.
Të dy kanë gjetur një moment shantazhi për Kosovën, si gjithmonë kur pihet raki nga fqinjët ballkanikë dhe i zënë në gojë shqiptarët. Por, jo. Nuk është ky vetëm moment dehjeje. Jam i sigurt se është veprim i shtyrë nga arroganca për të krijuar një atmosfere tensioni, siç ka bërë Gruevski me nacionalizmat primitive të tij me të gjithë fqinjët dhe me përmendoret qesharake në mes të Shkupit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat