Treshja Gruevski – Ahmeti – Thaçi pranon Qeverinë e zgjeruar

Maqedonia

Treshja Gruevski – Ahmeti – Thaçi pranon Qeverinë e zgjeruar

Më: 15 maj 2015 Në ora: 09:42

(E plotesuar) - Plani për një qeveri të zgjeruar mes katër partive kryesore është një nga pikat për të cilën janë pajtuar VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH. Kjo bëhet e ditur nga burime jozyrtare diplomatike, të cilat për INA theksojnë se tri partitë kanë dhënë miratimin për këtë format të qeverisjes për tejkalimin e krizës, por pengesa mbetet LSDM.
Lideri i VMRO-DPMNE dhe kryeministri Nikola Gruevski bashkë me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi gjatë takimit të djeshëm të liderëve të katër partive për disa minuta kanë diskutuar të vetëm si treshe, ku siç mësohet janë pajtuar për një qeverisje kalimtare përmes qeverisë së zgjeruar.

Gruevski me Ahmetin dhe Thaçin janë ngjitur bashkë në katin e dytë të Klubit të deputetëve, ku siç thuhet kanë diskutuar mbi këtë pikë. Këto detaje janë diskutuar edhe me ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së, Jess Baily dhe Aivo Orav.

BDI dhe PDSH nuk kanë dashur të flasin për detajet e takimit të djeshëm të liderëve, duke nënvizuar se ka pasur lëvizje pozitive. Jozyrtarisht përmendet hartimi i një kornize disa pikëshe, e cila do të ketë për bazë për tejkalimin e krizës politike.

Katër liderët e partive miratuan dje vetëm në deklaratë të përbashkët për gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe për zhvillimin e protestave paqësore.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka deklaruar qartë se kërkojnë dorëheqjen e kësaj qeverie dhe formimin e një qeverie kalimtare, pa Gruevskin si kryeministër.

Bisedimet për Qeveri teknike me kryeministër shqiptar

Liderët e partive më të mëdha në vend janë takuar, me iniciativë të presidentit Gjorge Ivanov. Me kërkesë të LSDM-së në takim ka qenë present edhe faktori ndërkombëtarë.

Përvec liderëve të partive më të mëdha politike në vend, VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski; LSDM-së, Zoran Zaev; BDI-së, Ali Ahmeti dhe PDSH-së, Menduh Thaçi po marrin pjesë edhe ambasadori amerikan Xhes Bejli dhe Aivo Orav, ambasador i Bashkimit Europian.
Marrim vesh se kanë filluar negociata për Qeverinë teknike, të gjitha partitë janë dakorduar që kryeministri të jetë ekspert shqiptar. Rezerva rreth kësaj ideje akoma ka VMRO-DPMNE. Burime diplomatike kanë thënë për “Lajm” se ambasadori i SHBA-së Bejli dhe ai i BE-së Orav kanë sugjeruar që në periudhë një mujore të suspendohen të gjitha protestat partiake dhe të krijohet hapësirë për dialog më intenziv për të dal nga situate e krijuar.
Mësojmë se në takim ka pasur edhe ide që mos është e nevojshme që negociatat të transferohen jashtë Shkupit, me gjasa më të mëdha në Ohër. Që takimi ka qenë mjaftë “i nxehtë” dëshmojnë edhe fotografitë që janë bërë gjatë një pauze, kur në tavolinë të njëjtë janë ulur “dushmanët” e përbetuar Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi në njërën anë si dhe Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev në anën tjetër .
Meqë në takim është biseduar për formimin e një kabineti të ri qeveritar, sipas të gjitha gjasave deri në përfundim të negociatave nuk do të ketë dorëheqje të reja të ministrave, sepse në prag të formimit të një qeverie të re ato konsiderohen të panevojshme.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti propozoi formimin e një grupi punues për të zgjidhur krizën politike në vend, dhe me anë të kësaj faze do të kishte zgjidhur të gjitha problemet. E njëjta gjë u pranua nga kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev këmbëngul për një qeveri kalimtare që do të organizojë për zgjedhjet.

Për LSDM-në është e papranueshme që të krijohen grupe punuese dhe ata nuk shohin diçka se pse ka problem që të formohet një qeveri kalimtare që do t’i organizojë zgjedhjet në qoftë se Nikolla Gruevski është i bindur se ai ka mbështetjen e popullit.
Ambasadorët Orav dhe Bejli në këtë takim vetëm se kanë dëgjuar pikëpamjet e liderëve politikë dhe pozitat e tyre.

Sipas Zaevit takimi ka qenë tentim për të vënë kornizë për dialog politik.
“Nuk, u dakorduam. Takimi do të vazhdojë të hënën.. Normalizimi është i mundshëm vetëm me formimin e Qeverisë kalimtare, e cila do të organizojë zgjedhje të parakohshme”, thotë Zaev.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat