Reçica e Vogël vazhdon të jetë pa shkollë fillore

Maqedonia

Reçica e Vogël vazhdon të jetë pa shkollë fillore

Më: 25 maj 2015 Në ora: 23:41

Mbeturina që digjen, erë e keqe dhe lloje të ndryshme mbeturinash – kështu duket vendi i dedikuar për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të vogël të Tetovës. Premtimet e komunës së ne këtë vend së shpejti do fillojë ndërtimi i shkollës fillore për afro 1 000 nxënësit e këtij fshati, ende nuk gjejnë realizim, edhe pse donacioni i mjeteve bëhet nga ambasada Kineze.

“Sipas premtimeve të komunës së Tetovës, në këtë vend është dashur që të fillojë prej kohësh ndërtimi i një shkolle fillore për nxënësit e fshatit Reçicë e Vogël. Megjithatë, jo vetëm që nuk ka filluar ende ndërtimi i kësaj shkolle, por vendi që është parashikuar ndërtimi i shkollës, tani i ngjan një deponie të egër mbeturinash”.

Banorët e këtij fshati ndihen tërësisht të lënë pas dore në këtë aspekt. Ata shprehen të revoltuar se, në këtë vend jo vetëm që nuk ka investime për shkollën fillore, por as mbeturinat nuk vijnë t’i pastrojnë.
“Përherë flitet që do bëhet shkolla, e shkollë nuk ka. Nuk është për ardhmërinë tonë më, por për ardhmërinë e fëmijëve. Këtu sikur e shihni krejt mëhalla vijnë e hedhin mbeturina. Askush nuk merr masa. Ata i bëjnë premtimet kur vijnë votimet... kur ka votime vrapojnë dhe na premtojnë”.
“Asgjë nuk është duke u bërë. Do bëhet sot do bëhet nesër asgjë nuk bëhet me këtë kryetaren. Në kohën e dimrit vijnë nga atje me balta me borë gjithë gjërat i kanë”.

Kryetari i Këshillit Iniciator për ndërtimin e shkollës, është shprehur se premtime dhe lëvizje në këtë vend nga organet komunale dhe të ministrisë, ka vetëm kur ofrohen zgjedhjet, dhe me kalimin e tyre vdes çdo aktivitet lidhur me fillimin e punëve për ndërtimin e shkollës.

“Në takimin e fundit që kam realizua me kryetaren Arifi, më premtoi se ka buxhet nga ambasada e Kinës. Thanë se do investojmë për shkollën. Ajo u mbyll. S’ka gjë ende. Vijnë matin sa herë që iu kërkohet për zgjedhje dhe harrohet. Tash e kemi ndërmend të nisim edhe me protesta, s’ka qare tjetër. Unë kam kërkua edhe një rrafshim të këtij vendi me disa maune rëre që të luajnë fëmijët, se këtu ka edhe eshtra njerëzish e jo veç eshtra kafshësh, fëmijët lozin këtu, kjo është jashtë çdo norme”, deklaroi Amet Alirexhepi, Kryetar i këshillit nismëtar për ndërtimin e shkollës.

Kreu i Këshillit të komunës së Tetovës Isen Xhemaili, u shpreh për Alsat se në mbledhjen e fundit të asamblesë komunale është miratuar projekti i kësaj shkolle dhe brenda muajt pritet të jepet edhe leja për ndërtim. Pastaj, ambasada kineze do hap tenderin për të zgjedhur firmën që do realizojë punët, u shpreh Xhemaili, duke mos saktësuar nëse ky aktivitet do të fillojë apo jo këtë vit. Në Reçicën e Vogël, rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg vendbanimit të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashri” në Tetovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat