Shtohet fluksi i refugjatëve në Gjevgjeli

Maqedonia

Shtohet fluksi i refugjatëve në Gjevgjeli

Më: 14 shtator 2015 Në ora: 19:33

Vala e refugjatëve në Gjevgjeli ka marrë përmasa shumë më të mëdha. Aktivistët humanitarë njoftojnë se vetëm në 24 orët e fundit në Maqedoni kanë hyrë rreth 8 mijë persona. Sa më shumë që rritet fluksi, Hekurudhat e Maqedonisë, taksistët dhe vozitësit e autobusëve të ndryshëm përfitojnë në kurriz të refugjatëve me çmime marramendëse për transport. Nga Hekurudhat e Maqedonisë tashmë dy ditë heshtin për rritjen e menjëhershme të çmimit të biletave në 25 euro. Drejtori i Hekurudhave Nikolla Kostov edhe më tej nuk përgjigjet në thirrjet dhe në porositë tona.

Megjithatë refugjatët janë të vendosur të paguajnë sado që të jetë vetëm e vetëm që të mbërrijnë në destinacionin e dëshiruar, sidomos pas paralajmërimeve për mbylljen e tërësishme të kufirit hungarez të martën. Refugjatët shpejtojnë për të mbërritur përpara datës 15 shtator, pasi pas kësaj dite policia hungareze do t’i ketë duart e “zgjidhura” për të arrestuar, kthyer por edhe për të gjuajtur me armë drejtë atyre, të cilët do të kërcënojnë sigurinë e shtetit dhe policisë. Nuk dihet ende se cili do të jetë fati i refugjatëve, të cilët do të mbeten të bllokuar në Serbi. Do të arrijnë të gjejnë rrugë alternative, apo do të ndërtohen kampe të përkohshme qëndrimi derisa BE-ja ti shqyrtojë kërkesat e azilit. Situatë të ngjashme me mbyllje kufijsh dhe kontrolle të rrepta ka edhe në vendet e tjera të BE-së. Gjermania e cila kohë më parë filloi një politikë më liberale ndaj refugjatëve, riktheu kontrollin në kufirin me Austrinë duke pezulluar përkohësisht Shengenin.

Gjermania ka vendosur rreth 4 mijë policë që do të pengojnë fluksin e refugjatëve, derisa të ndërtohen kampe pranimi në Greqi, Hungari dhe Itali prej ku refugjatët do të regjistrohen dhe do të presin përgjigje nga ndonjë shtet i BE-së që do t’i marrë nën mbrojtje. Emigrantët ekonomik do të kthehen në vendet e tyre. Edhe Austria ka filluar me kontrolle të shtuara në kufi. Modelin e saj dhe të Gjermanisë e kanë ndjekur edhe Sllovakia e Çekia të cilat nuk duan të pranojnë asnjë refugjat.

UNHCR-ja ka paralajmëruar se gjatë periudhës së ardhshme, fluksi i refugjatëve do të marrë përmasa edhe më të mëdha pasi mijëra sirianë tashmë kanë filluar t’i braktisin shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të vazhdueshme. Kjo organizatë ka kërkuar nga BE-ja një zgjidhje konkrete gjithëpërfshirëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat