Vazhdohet paraburgimi për Gafurr Dugollin, ministri i BDI-së vazhdon të heshtë (Video)

Maqedonia

Vazhdohet paraburgimi për Gafurr Dugollin, ministri i BDI-së vazhdon të heshtë (Video)

Më: 14 mars 2016 Në ora: 18:06

Shefit të Protokollit në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Gafurr Dugolli me propozim të Prokurorit Publik, Gjykata Themelore në Shkup, ia ka vazhduar masën e paraburgimit të shkurtër edhe për 48 orë shtesë me arsyetimin se po bëjnë vërtetimin e identitetit.

“Ndaj këtij vendimi të Gjykatës, avokati mbrojtës ka parashtruar ankesë e cila në afatin e paraparë me ligj i është dorëzuar Këshillit Penal të gjykatës së lartpërmendur e cila ka hedhur poshtë ankesën si të pabazë dhe ka konfirmuar vendimin e gjykatësit në procedurë paraprake”, deklaruan nga Gjykata Themelore në Shkup.

Nga Ministria e Drejtësisë vazhdojnë të heshtin. Nga ky dikaster i cili udhëhiqet nga Adnan Jashari, kuadër i BDI-së, nuk japin detaje se vallë Gafurr Dugolli do të ekstradohet në Serbi apo do të lëshohet i lirë.

Avokati mbrojtës i Dugollit vazhdon të këmbëngul se veprimi i autoriteteve të Maqedonisë është i padrejtë, pasi ekziston një marrëveshje dypalëshe mes dy shteteve dhe nuk ka arsye që të zbatohet një urdhër-arrest i Serbisë, nga Maqedonia.

Ndërkohë në Prishtinë është organizuar një protestë para Ambasadës së Maqedonisë ku u kërkua lirimi i menjëhershëm i Gafur Dugollit. “Kujdes! Maqedoni mos luaj lojëra të pista!”, “Krime bëri Serbia, jo UÇK-ja”, “Mos na i rihapni plagët”, ishin vetëm disa nga porositë që u vërejtën në pankartat e protestuesve para ambasadës maqedonase.

Dugolli të premten e kaluar ka ardhur në Maqedoni për të marrë vizën për udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është arrestuar nga autoritetet maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të Serbisë për krime lufte në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat