Parregullsi të shumta në listën e votuesve kontestues

Maqedonia

Parregullsi të shumta në listën e votuesve kontestues

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 16:46
Ilustrim

Lista me emrat e 39.502 votuesve kontestues që dje u publikuan nga Komisoni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë ka shkaktuar revoltë tek një pjesë e madhe qytetarëve, veçanërisht te shqiptarët. Kjo për shkak se shumë qytetarë kanë gjetur emrat e tyre në këtë listë, ndërkohë që ende janë gjallë dhe banojnë në po të njëjtën adresë. Ndërkaq si të dyshimtë për KSHZ-në janë edhe përfaqësues të partive politike, figura publike, aktivistë dhe gazetarë.

Televizioni Alsat inspektoi disa adresa që gjendeshin në faqen e internetit të KSHZ-së.

Bajram Emini nga lagjja Gazi Babë thotë se vajza e tij është gjetur në këtë listë për shkak se ishte mysafir tek familjarët e saj në momentin që ekipet e KSHZ-së bënin kontrolle në terren për verifikimin e tyre.

“Vajza ishte te tezja e ai e fshiu prej listës krejt, ma la një numër telefoni dhe më tha të lajmërohet aty. I thash, o shqiptar unë jam baba i vajzës, ajo ka shkuar në pushim dhe kthehet ndërsa ajo më nuk figuron në listë. 8 anëtarë të vëllait janë të regjistruar këtu, janë në mërgim, faktikisht ata për çdo zgjedhje vijnë këtu dhe votojnë. Tash kanë mbet as këtu nuk votojnë e as atje. Diku 10 anëtarë të familjes time, personalisht unë çka i di. Mos të flas për krejt lagjen e Gazi Babës, se ata më shumë krejt shqiptarët i kanë heq, bashkë me ndihmën e shqiptarëve”, deklaroi qytetari Bajram Emini.

Zimer Ajeti shprehet i befasuar kur nga ekipi i Alsat-M që sot ishte në teren kuptoi se bashkëshortja e tij Xhemile Ajeti gjendet në këtë listë. Ai thotë se kjo është e pamundur kur asnjë nga ekipet e KSHZ-së nuk ka vizituar këtë familje.

“Turp për një shtet apo për një parti shqiptare që nuk ka marr masa edhe na kanë pru në këtë gjendje. Personi duke qenë gjallë duke jetu këtu, 55 vjet që banon këtu, kemi dokumentin i kemi të gjitha letrat edhe më fund me heq prej listës, unë vërtet nuk di si ta vlerësoj këtë. Unë nuk dua ta fajësoj asnjë vetëm se e fajësoj partinë tonë shqiptare pse nuk kanë ndërmarr masa, pse nuk është interesuar dikush se kë e kanë heq prej listës”, u shprej qytetari Zimer Ajeti.

Në mesin e të anketuarve nëpër komuna të ndryshme të Shkupit është edhe Skender Kovaçi, emri i të cilit është shënuar në listën e votuesve kontestues.

“Ne jemi këtu 50 vjet, është për tu habitur sepse ne asnjëherë nuk kemi ndërruar adresë e as që kemi dal tjetër kund. E pash edhe dje listën që jam i shlyer nga lista. Unë do ta kërkoj të drejtën time për të votuar, siç thashë në 29 00 ku kam votu edhe më herët unë jam i shlyer. Unë do të kërkoj nga Komisioni zgjedhor që ta rregullojmë këtë çështje”, tha qytetari Skender Kovaçi.

Qytetarët të cilët emrat e tyre i kanë gjetur në listën e votuesve kontestues do të kenë mundësi që deri më 16 gusht të paraqiten për t’u regjistruar si votues në njësitë rajonale të këtij institucioni dhe në zyrat e Drejtorisë për libra amë. Mbi 90 % nga kjo listë janë qytetarë shqiptarë, ku më të theksuara janë Tetova, Karposhi dhe Çairi. Nga KSHZ-ja kanë njoftuar se risi në këto zgjedhje do të jenë fotografitë për çdo votues në Listën zgjedhore. Ditën e mbajtjes së zgjedhjeve çdo person që do të paraqitet për të votuar do t’i verifikohet fotoja në letërnjoftim apo pasaportë, me foton përkatëse në Listën zgjedhore të vendvotimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat