“Jahja Kemal” vazhdon betejën me pushtetin

Maqedonia

“Jahja Kemal” vazhdon betejën me pushtetin

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 23:48
“Jahja Kemal”

Edhe përkundër paralajmërimeve të forta kërcënuese për mbylljen e kolegjeve “Jahja Kemal” nga ana e qeverisë maqedonase, përfaqësuesi i këtij kolegji, mohon të ketë pranuar ndonjë informacion zyrtar për një vendim të tillë. Lajmin për mbylljen e këtyre kolegjeve, Surija Tauk thotë se e ka dëgjuar nga mediat. Sipas tij, nuk ekziston asnjë arsye e vetme për një vendim të tillë, pasi që për 20 vite radhazi, ky kolegj nuk ka pasur asnjë vërejtje nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

“Jo sinqerisht, sikurse ju, edhe ne nga mediat e kemi marrë këtë lajm, nuk na kanë kontaktuar zyrtarisht që ka një vendim të tillë. Ne i paraqitëm thashethemet, pyetëm në Ministrinë e Arsimit dhe ata thonë se nuk ka një vendim të tillë, madje edhe ata u habitën… Kur për 20 vjet s’keni asnjë padi në gjyq e lëre më vendim për mbyllje, a mund të ketë arsye apo dyshim se institucioni nuk do të ekzistojë”, tha Surija Tauk, zëdhënës i “Yahya Kemal”.

Lidhur me pyetjen e Alsat se a kanë menduar që të ngrenë padi penale kundër shtetit nëse është i vërtetë një vendim i tillë, nga ky kolegj thonë se do ta bënin një gjë të tillë nëse kjo do të ishte e vërtetë. Ndërkaq nga pikëpamja e orientimeve ideologjike që kjo shkollë është piketuar si gyleniste, Tauk thotë se kjo shkollë shikon vetëm punën e vet dhe detyrimet që ka ndaj nxënësve.

“Në asnjë medium nuk jemi konfrontuar, neve shohim vetëm arsimin detyrën tonë dhe kurikulën që i kemi premtuar shtetit se do ta inkuadrojmë në Maqedoni… dhe jam i bindur që kjo shkollë do të ekzistojë dhe vazhdojë, sepse neve politika nuk na intereson, ky është një brend i Maqedonisë”, theksoi Surija Tauk, zëdhënës i “Yahya Kemal”. 

Megjithatë, shqetësimi është prezent në mesin e prindërve, por ja çfarë porosie u kanë dërguar atyre për t’i siguruar se nuk ka nevojë për panik
“Kohëve të fundit po përhapen spekulime, jo të vërteta dhe dezinformata të ndryshme për shkollën tonë. Ju informojmë se të njëjtat nuk duhet t’i merrni parasysh dhe ne me punën tonë edukativo-arsimore vazhdojmë me vitin shkollor nga 1 shtatori”, thuhet në njoftimin e Yahya Kemal.

Ata gjithashtu porosisin prindërit dhe tutorët që informacionet për shkollën t’i marrin nga drejtoria e shkollës apo nga ministria e Arsimit. Ndërkaq nga MASH deri më tani janë prononcuar të jenë kundër vendimit për mbylljen e këtyre kolegjeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat