Punësimet, Seferi: Kujdes me kritikat e Brukselit

Maqedonia

Punësimet, Seferi: Kujdes me kritikat e Brukselit

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 23:50
Agron Seferi

Në prag të publikimit të raportit të progresit nga Komisioni Evropian, numri dy i Agjencisë për administratë Agron Seferi shprehet i bindur se vërejtjet e Brukselit sa i përket politizimit të administratës janë adresuar në mënyrë të duhur. Sipas Seferit Agjencia ka ndërmarrë një sërë masash për të siguruar përzgjedhjen e kandidatëve për nëpunës shtetëror në mënyrë transparente dhe të bazuar mbi merita.

“Agjencia ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe masat e duhura për përmirësimin dhe avancimin e kësaj gjendjeje për të ndryshuar këtë gjendje që vazhdimisht është konstatuar në raportet e Komisionit Evropian.. Mendoj se zbatimi i plotë dhe konsekuent i ligjit për nëpunës administrativ garanton përzgjedhjen dhe definimin e kandidatëve më profesionalë dhe më cilësorë me çka eliminohet rreziku i përzgjedhjes së kandidatëve në baza të kritereve subjektive dhe kritereve të tjera”, u shpreh Agron Seferi, zv/ drejtor i Agjencisë për Administratë.

Seferi sqaroi se përzgjedhja e administratorëve më të mirë bëhet në bazë të rezultateve që arrijnë kandidatët gjatë testimit duke respektuar gjithashtu edhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike. Ndërkaq në rast të shpërfilljes të vendimit të Agjencisë, udhëheqësit e Institucioneve rrezikojnë të përballen me gjoba deri në 7 mijë euro.

“Udhëheqësi i institucionit është i obliguar me ligj që në afat prej 3 ditësh të sjellë vendim pozitiv për përzgjedhjen e kandidatit më të suksesshëm në të kundërtën udhëheqësi i institucionit do të ballafaqohet me një dënim në të holla prej afron 7 mijë eurosh...nga muaji gusht deri tani janë publikuar më shumë se 50 shpallje, një pjesë e tyre tani më kanë mbaruar dhe nuk kemi regjistruar asnjë rast ku udhëheqësi i institucioni nuk ka respektuar propozimin e Komisionit për selektim”, u shpreh Agron Seferi, zv/ drejtor i Agjencisë për Administratë. 

Zv/ drejtori i Agjencisë për Administratë theksoi gjithashtu se nga 536 ankesat që kanë mbërritur në adresë të Agjencisë nga ana e nëpunësve shtetëror e që kryesisht kanë të bëjnë me pakënaqësitë rreth rrogave, 240 raste kanë marr epilog pozitiv, 218 janë hedhur si të pabaza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat