Edmond Ademi: LSDM mund ta rrëzojë VMRO-në dhe BDI-në!

Maqedonia

Edmond Ademi: LSDM mund ta rrëzojë VMRO-në dhe BDI-në!

Më: 3 nëntor 2016 Në ora: 00:45
Edmond Ademi

Listat e kandidatëve për deputet të LSDM-së do të shpallen më 6 nëntor, kur edhe do të mbahet kongresi i partisë siç njoftoi ditë më parë kreu i kësaj partie, Zoran Zaev. Kështu deklaroi Edmond Ademi nga LDSM, i cili shtoi se në lista do të ketë edhe kandidat shqiptarë që janë pjesë e kësaj partie. Ai në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA, deklaroi se ende nuk dihet nëse ndonjë shqiptar do të jetë bartës liste.

I pyetur nëse mbajnë akuzat e VMRO-DPMNE-së se anëtarët shqiptarë të LSDM-së po e shqiptarizojnë këtë parti, Ademi tha se LSDM është parti qytetare dhe është e hapur për të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike.

“Është fakt se kohën e fundit para së gjithash më tepër se 1 vit e gjysmë, kemi një fluks të madh të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Maqedoni e që anëtarësohen në LSDM dhe ky proces nisi që nga fillimi i publikimit të të ashtuquajturave ‘bomba’”, tha Ademi, i cili shtoi se kjo metodë e LSDM-së jo vetëm që e shqetëson vetëm VMRO-DPMNE-në, por edhe partinë e Ali Ahmetit, BDI-në.

Ai akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në se vazhdimisht kanë bërë manipulime në baza etnike, vetëm për të fituar pikë politike.

“Janë këto dy parti politike që janë në dështim e sipër edhe si koncepte politike edhe si program qeveritar, dhe nervoza e tyre viz a vi LSDM-së tregon një pozicion shumë të qartë, edhe ajo është se e vetmja forcë politike që mund dhe që do ta rrëzoj VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në nga pushteti. Ajo është Lidhja Socialdemokrate”, tha Ademi.

Ai shtoi se LSDM-ja tashmë është reformuar me fytyra të reja, dhe i është përkushtuar idealit të demokracisë Evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat