Antikorrupsioni në shërbim të partive në pushtet

Maqedonia

Antikorrupsioni në shërbim të partive në pushtet

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 15:55
Ilustrim

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit sërish është vënë në shënjestër të kritikave të shumta të opinionit më të gjerë, pas një seance të hapur, ku kërkoi nga Prokuroria Publike që të shqyrtojë disa vendime të Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, që kanë të bëjnë me disa ndryshime pozicionesh në nivelet më të ulëta në këtë ministri.

Reagimet vijnë pasi komisioni antikorrupsion, konferencën e hapur ku shënjestroi ministrin e qeverisë kalimtare nga radhët e LSDM-së opozitare, e mban pas një heshtjeje të gjatë lidhur me shumë afera korruptive të ngritura viteve të fundit.

Madje, ky komision, që quhet edhe si “dorë e zgjatur e pushtetit”, asnjëherë nuk është prononcuar as për shpërdorimet e shumta të zyrtarëve që kanë dalë nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Komisioni ka dalë disa herë edhe në mbrojtje të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, kur kritikohej për mos publikimin e listës anketuese për pasurinë e tij.

“Vlerësoj se ky komision, në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme, punon për pushtetin. Kjo është më se e dukshme. Paraqitja e tyre publike është precedent dhe mesazh i qartë se ky komision është përfshirë fuqishëm në fushatën zgjedhore të partisë në pushtet.”

“Në fakt, ky nuk është edhe veprimi i tyre i parë. Ky komision ka heshtur të gjitha nismat që janë ngritur për afera të ndryshme korruptive”, thotë për Radion Evropën e Lirë, Dragan Malinovski, ish anëtar i komisionit antikorrupsion.

Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, thotë se drejtësia nuk duhet të jetë selektive, ndërsa kritikon punën e komisionit antikorrupsion, që, sipas tij, deri më tani nuk ka arritur të zbardhë qoftë edhe një vepër korruptive.

“Drejtësia nuk duhet trajtuar në mënyrë selektive, por ajo duhet të jetë e drejtë dhe e saktë. Në këtë rast, komisioni antikorrupsion bëri një veprim të pahijshëm për sa i përket punës së tij dhe shtrohet pyetja se ku ishte deri më tani kur ishin në pyetje çështje të ndryshme të interesit. Nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe shumica e qytetarëve nuk e dinë nëse vallë funksionon ose jo ky komision. Vlerësoj se nuk ka mbetur asnjë institucion në Maqedoni pa u politizuar dhe kjo është edhe një dëshmi se shteti nuk funksionon dhe është i kapur peng nga individë të caktuar”, thotë Selmani.

Dragan Malinovski, ish anëtar i komisionit antikorrupsion, thotë se përbërja aktuale e këtij komisioni, por edhe ajo e mëparshmja, sikur edhe e institucioneve tjera të këtij lloji, kanë rrënuar imazhin e shtetit si asnjëherë më parë. Ai thotë se pa heqjen e ndikimit politik dhe përfshirjen e profesionistëve në këtë organ nuk mund të pritet efikasitet në punën e tyre.

“Imazhi i këtij institucioni, por edhe i organeve tjera, vlerësoj se mund të përmirësohet vetëm me heqjen e ndikimit politik. Kjo duhet të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur. Zgjidhje tjetër nuk ka përveç që këto institucione të udhëhiqen nga ekspertë të dëshmuar që nuk janë të ndikuar nga partitë politike”, thotë Malinovski.

Më shumë se një e treta e qytetarëve të Maqedonisë, sipas studimit të fundit të Transparency International, mendojnë se korrupsioni është një prej tri problemeve kryesore me të cilat përballet vendi. Si institucione më të korruptuara përmenden qeveria, presidenca, gjyqësori, shëndetësia, por edhe institucione tjera, ku për të marrë shërbimet qytetarët janë detyruar të paguajnë ryshfet. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat