KSHZ: Janë marrë të gjitha masat që zgjedhjet në Maqedoni të jenë të rregullta

Maqedonia

KSHZ: Janë marrë të gjitha masat që zgjedhjet në Maqedoni të jenë të rregullta

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 17:23
Ilustrim

Në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen të dielën më 11 dhjetor në Maqedoni, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) bëri të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të respektimit të afateve për zbatimin e zgjedhjeve, si dhe masat tekniko-organizative për parandalimin e parregullsive eventuale.

Lupka Guguçevska e KSHZ-së në konferencën për media njoftoi se fletëvotimet dhe certifikatat e listës zgjedhore janë në fazën e përgatitjes për t’u shtypur dhe se do të dorëzohen në komisionet komunale zgjedhore në afatin e paraparë në Kodin Zgjedhor.

“Për herë të parë në këto zgjedhje, certifikatat e listës zgjedhore do të përmbajnë edhe fotografi personale prej votuesve. Fotografitë janë në format si edhe letërnjoftimet apo dokumentet e udhëtimit të votuesve, ndërsa do të shërbejnë për identifikimin më të lehtë të votuesve, si dhe për eliminimin e keqpërdorimeve eventuale”, theksoi Guguçevska.

KSHZ-ja apelon deri te komisionet komunale zgjedhore që të përmbahen nga çfarë do aktiviteti partiak deri në përfundimin e procesit zgjedhor ndërsa u bëri thirrje të punësuarve në administratën shtetërore dhe publike që gjatë orarit të punës të përmbahen nga aktivitetet partiake dhe ti paraqesin presionet eventuale nga shefat e tyre.

Vëzhguesit vendor dhe të huaj të cilët dëshirojnë ta ndjekin procesin zgjedhor kanë afat deri nesër të dorëzojnë kërkesa për autorizim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat