Zoran Zaev porosi partive shqiptare, ja çka kërkon nga ato

Maqedonia

Zoran Zaev porosi partive shqiptare, ja çka kërkon nga ato

Më: 13 dhjetor 2016 Në ora: 16:34
Zaev në paraqitjen e parë pas publikimit të rezultateve të para nga KSHZ-ja

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev i ka bërë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, që fituan mandate në zgjedhjet e së dielës, që t’i bashkohen partisë së tij për formimin e qeverisë së re dhe ta refuzojnë Nikolla Gruevskin.

“Regjimi nuk guxon të formojë qeverinë e Maqedonisë. Të gjitha partitë, përveç VMRO DPMNE-në nuk duhet të mendojnë për të shkelur vullnetin e shprehur në zgjedhje për formimin e qeverisë në koalicion me Nikolla Gruevskin. Rezultatet e para kanë hutuar qytetarët. Rezultatet zyrtare ende nuk kanë dalë. Nëse korrigjohen një pjesë e numrave, LSDM do të ketë më shumë mandate në njësinë e gjashtë zgjedhore dhe me këtë rezultati do të jetë 50 me 50 në deputetë”, ka deklaruar Zaev në paraqitjen e parë pas publikimit të rezultateve të para nga KSHZ-ja sipas të cilave VMRO-ja e Gruevskit ka fituar dy mandate më shumë se partia që drejtohet prej tij, LSDM.

Ai tha se në zgjedhjet e së dielës kishte një fitore historike nga ana e qytetarëve të Maqedonisë, që nuk guxon sipas tij, në asnjë mënyrë të shuhet.

“Së bashku rrëzuan regjimin, qytetarët zgjodhën jetën në Maqedoni. Dua ta respektoni vullnetin e qytetarëve. Shumica e qytetarëve votuan për ndryshime. Arritëm të bashkojmë Maqedoninë etnike”, tha Zaev duke iu referuar votimeve ku shumë shqiptarë dhe pjesëtarët të bashkësive tjera etnike votuan për partinë e tij. Formimi i qeverisë së re është në duart e partive shqiptare pasi as VMRO-ja e as LSDM-ja nuk do të jenë në gjendje të formojnë qeverinë e re. Partitë shqiptare kanë fituar 20 mandate; 10 BDI-ja, 5 Lëvizja BESA, 3 Aleanca për Shqiptarët dhe 2 PDSH-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat