“TDS Kiosk” i anulohet tenderi për analizën e Marrëveshjes së Ohrit

Maqedonia

“TDS Kiosk” i anulohet tenderi për analizën e Marrëveshjes së Ohrit

Më: 11 janar 2017 Në ora: 20:24
“TDS Kiosk”

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit prish kontratën me firmën “Kioski” duke anuluar kështu edhe gjithë tenderin për analizën e Marrëveshjes së Ohrit. Në një komunikatë me shkrim, theksohet se vetë kompania kontraktuese ka kërkuar prishjen e kontratës për shkak se nuk mundet të realizojë në kohë aktivitetet e parashikuara në kontratë.

“Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka shqyrtuar kërkesën e kompanisë dhe ka marrë vendim që të prishë kontratën me kompaninë fituese. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit synon që analiza, si një studim me rëndësi për përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit, të meritojë pjesëmarrje më të gjerë kompanish, përvojë më të thellë, në mënyrë që rezultati i saj të përbëjë një dokument me peshë dhe të detajuar, si udhërrëfyes për institucionet e tjera në përpjekjet e tyre për përmbushjen e marrëveshjes”, thuhet në reagimin e Sekretariatit.

Alsat-M raportoi për ditë me radhë duke theksuar se TDS “Kioski”, një firmë tregtare dhe jo institucion relevant për analiza politike, ishte i vetmi pjesëmarrjes në tender. Po ashtu, nëndega e saj e marketingut “Advertising”, me të cilën pretendohet se mund të bëhen analiza, ishte miratuar në Regjistrin Qendror 11 ditë pas fitimit të tenderit. Mes shumë vërejtjeve ishte edhe fakti se gjatë kësaj kohe, firma duhet të organizonte 6 konferenca rajonale, një ndërkombëtare, një analizë të mendimit politik etj., nga të cilat asnjë nuk është organizuar, realizuar apo dëshmuar si e tillë. Pas këtyre çështjeve të ngritura nga ALSAT, zëvendëskryeministri Festim Halili vendosi që të angazhonte ekspertë të jashtëm për rishikimin e procedurave tenderuese dhe kapaciteteve reale të firmës për finalizimin në kohë të tenderit. Gjatë ditës, edhe firma doli me qëndrim, duke thënë se shqyrtimet dhe kontrollet e kishin penguar më shumë punën e saj për realizimin në kohë të studimit.

“Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dje dhe sot ka ndërmarrë disa aktivitete ku kërkojnë informata shtesë, duke neglizhuar punën tonë. Shqyrtimet dhe kontrollet e procedurës tenderuese dhe dokumentet që kërkohen nga kompania jonë e kanë rënduar dukshëm punën. Paralajmërimet për vazhdimin e kontrolleve do të pamundësojnë krejtësisht punën tonë”, deklaroi pronari i firmës Rrahim Shaqiri.

Sipas kontratës, firma duhet ta përfundonte të gjithë aktivitetin e saj për përgatitjen e analizës, si dhe konferencave dhe angazhimeve të tjera shkencore, deri më 21 janar pas 10 ditësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat