‘Policia të shtojë kontrollet në Sedllarcë të Epërme’

Maqedonia

‘Policia të shtojë kontrollet në Sedllarcë të Epërme’

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 11:32
Sedllarcë e Epërme

Gati se dhjetë ditë banorët e fshatit Sedllarcë e Epërme, gjatë orëve të natës, kanë vizitorë të panjohur.

Sipas banorëve në këtë periudhë, persona të pa njohur hyjnë nëpër shtëpi dhe vjedhin. Ata janë të shqetësuar për këtë gjendje dhe kërkojnë që të merren masa nga ana e policisë. Madje, sipas kryetarit të Bashkësisë lokale të këtij fshati, banorët disa herë i kanë vërejtur këta hajna, por nuk kanë arritur që t’i kapin. Rastet e këtilla i kanë denoncuar në policinë e Tetovës dhe presin që e njëjta të merr masa.

“Po këto dhjetë ditë më shumë, ndërsa kjo situatë është prezent që pas zgjedhjeve, kur njerëz të panjohur kanë kryer vjedhje, por edhe kanë shpeshtuar vizitat e tyre. Në këtë kohë rinia e fshatit është duke bërë roje gjatë natës, por duhet që policia të merr masa, sepse ajo është kompetente. Një natë rinia ka hasur në një person të panjohur dhe i njëjti është larguar menjëherë, por të rinjtë i kanë shkuar pas deri në Shkup ku edhe është kapur. Ai në ikje e sipër ka bërë dëme, duke dëmtuar edhe pikën pagesore”, thotë për KOHA, kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Sedllarcë e Epërme, Hajrulla Ismani.

Ai njëkohësisht shprehet i shqetësuar me këtë fenomen që ndodh në fshatin e tij.

”Normalisht se banorët janë në panik, janë të frikësuar, sepse mund të hasin në këta hajna dhe të ndodh edhe diçka e padëshirueshme. Prandaj, edhe këtë çështje e kemi denoncuar në polici, kanë ardhur dhe presim që të marrin masa konkrete, sidomos të paktën të ketë patrullime më të shpeshta gjatë natës”, thotë Ismaili.

Edhe banorët e këtij fshati janë shprehur të shqetësuar për këtë fenomen që kohëve të fundit po ndodh në fshatin e tyre, duke kërkuar që policia të shtojë kontrollet në këtë fshat. “Kjo që ndodh në fshat nuk është në rregull, pasi që jemi edhe të shqetësuar, por edhe të frikësuar. Rinia bën roje, por duhet që këtë problem ta zgjidh policia, sepse ata janë të thirrur për të garantuar sigurinë e banorëve. Këta hajna nuk janë banorë të këtij fshati, por edhe nuk janë nga rrethina, por vijnë nga larg dhe duhet që të menjëherë policia të gjejë dhe ndëshkojë të njëjtit”, ka thënë një banorë i këtij fshati.

Nga Policia e Tetovës njoftojnë se në fshatin Sedllarcë e Epërme këtë vit janë regjistruar dy vjedhje të rënda, një tentim për vjedhje dhe një dëmtim, që të gjitha në shtëpi private. Krahas kësaj, tre vjedhje të rënda janë regjistruar edhe në fshatin Pallçisht i Poshtëm, prej të cilëve njëra është zbardhur.

“Pas denoncimit është kryer hetim dhe janë gjetur disa gjurmë të cilët janë duke u analizuar dhe janë marrë masa intensive për zbardhjen dhe gjetjen e autorëve të këtyre vjedhjeve. Krahas kësaj, të martën dhe të mërkurën janë planifikuar takime me qytetarët e këtyre dy fshatrave, ku përfaqësues të Policisë së Tetovës, për së afërmi do t’i njoftojnë me masat që janë marrë për zbardhjen e këtyre vjedhjeve, por edhe në mënyrë preventive që të informohen për masat që duhet të merren kur pronarët nuk janë në shtëpi”, njoftojnë nga Policia e Tetovës. Sipas policisë së Tetovës, gjatë vitit 2016 janë denoncuar vetëm tre tentime për vjedhje të rënda në shtëpi private që është numër shumë më i vogël në krahasim me dy vitet e mëparshme. Ndryshe, Sedllarca e Epërme është fshat që graviton në Komunën e Bogovinës dhe ka diku rreth 400 shtëpi, me rreth 1000 mijë banorë. Ky fshat ndodhet afër autostradës Tetovë-Gostivar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat