Fati i testimit ekstern në duart e Qeverisë së re

Maqedonia

Fati i testimit ekstern në duart e Qeverisë së re

Më: 19 mars 2017 Në ora: 15:15
Ilustrim

Fati i testimit ekstern gjegjësisht ndërprerja e tij do të varet nga Qeveria e re. Në programin e Qeverisë të prezantuar nga LSDM-ja theksohet se gjatë mandatit të tyre do të propozohet ndërprerja e testimit ekstern si projekt që ngjalli shumë revolt te mësimdhënësit, kurse krijoi edhe shqetësim dhe pakënaqësi edhe te nxënësit dhe prindërit,transmeton Alsat M.

Në programin qeveritar të LSDM-së thuhet se testimi ekstern e ka devalvuar të gjithë përpjekjen dhe mundin e mësimdhënësve dhe nxënësve gjatë gjithë vitit shkollor dhe nuk solli rritje të cilësisë. Do të përfshimë vlerësim dhe testim të nxënësve, por pa vënie të notave shtesë në dëftesat e tyre dhe pa dënime për mësimdhënësit. Vlerësimi i diturisë së fituar do të zbatohet në vazhdimësi.

I pyetur nga televizioni Alsat M,  për përvojën e Ministrisë së Arsimit gjatë zbatimit të testimit ekstern, ministri Pishtar Lutfiu pranon që ka pasur ankesa për efikasitetin e tij por, sipas tij, me kalimin e kohës,mangësitë janë evituar.

“Problemet që kanë qenë në fillim të projektit, të testimit ekstern tashmë janë minimizuar goxha që do të thotë se të gjithë ato telashe dhe gabime që kanë qenë në fillim dhe që janë bërë, tashmë janë minimizuar. Testimi ekstern nuk është bërë për të cenuar nxënësit ose arsimtarët por është bërë për të matur vlerat e kualitetit në arsim” – dekalroi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Ideja fillestare e testimit ekstern ishte që nëpërmjet nxënësve të testohen edhe mësimdhënësit të cilët shpesh u dënuan për rezultatet. Që nga fillimi i aplikimit, ai është përballur me ankesa dhe rezistencë të madhe nga nxënësit dhe prindërit. Deri tani është e paqartë nëse partitë politike shqiptare, partnere potenciale të koalicionit me LSDM-në, do ta përkrahin këtë propozim të LSDM-së, të evidentuar në programin e Qeverisë së ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat