A është Gjorgje Ivanov kryetar i të gjithë qytetarëve?

Maqedonia

A është Gjorgje Ivanov kryetar i të gjithë qytetarëve?

Më: 24 mars 2017 Në ora: 12:18
Gjorgje Ivanov

Gjorgje Ivanov nuk është kryetar i gjithë qytetarëve të RM-së dhe se këtë e ka dëshmuar në qëndrimet e tij duke anuar rreth një grupi të cilët po protestojnë kinse për ta mbrojtur Maqedoninë, thotë Zamir Mehmeti organizator i protestave të vitit të kaluar të “Revolucionit të Larmë”.

Sipas tij, këto qëndrime të Ivanov tregojnë se ai nuk përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve, por vetëm interesat grupore partiake dhe të një grupi që proteston tani.

“Presidentit Ivanov i pengonte derisa “Revolucioni Laraman” protestonte në rrugë, ndërsa i njejti president pas disa muajve po i inspiron protestuesit të cilët kinse po protestojnë për Maqedoni të përbashkët ndërsa në protestat e tyre po brohoritet shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur. Presidenti Ivanov është president me bateria i cili si do që ta shtypë lideri i tij Nikolla Gruevski ai del dhe jep deklaratë”, tha Zamir Mehmeti.

E ndërkohë, një vit më parë Ivanov në takimin me kryeredaktorët e televizioneve nacionale, në periudhën kur po zhvilloheshin protestat e “Revolucionit të Larmë” kundër vendimit të tij për abolicion, kishte deklaruar se është kundër protestave në rrugë dhe se sipas tij gjithçka duhet të zgjidhet në korniza të ligjeve dhe institucioneve.

“Për atë kemi Kushtetutë, ligje dhe institucione që gjithçka të zgjidhet në korniza të tyre. Pse rrugën? Kjo do të thotë se Kushtetuta nuk ekziston? Institucionet nuk ekzistojnë? Çdokush mund të dorëzojë akt, iniciativë, çdokush mund të ngrit çfarëdo në këtë shtet. Pse shfrytëzohet rruga? Kush e shfrytëzon rrugën? Ata që nuk i pranojnë institucionet dhe duan që Maqedoninë ta shkelin, ta bëjnë shtet jo-funksional që t’u arsyetojnë disa qëllime tjera të cilat thonë se Maqedonia nuk meriton të ketë shtet”, tha Ivanov.

Por nga ana tjetër, Ivanov po përkrahë protestat e fundit të organizuara nga iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët”. Ai këtë përkrahje e ka shprehur edhe me anulimin e takimit me eurokomisarin Johanes Han, duke i lënë në dispozicion kohën që zyrtari i lartë evropian të takojë protestuesit.

“Mirë është që eurokomesari të njoftohet me argumentet dhe arsyet se pse qytetarët e Maqedonisë protestojnë më shumë se njëzet ditë”.

Për protestat e “Revolucionit të Larmë” po zhvillohen edhe procese gjyqësore për demolimin e zyrës popullore të kryetarit Ivanov, ku të dyshuar janë aktivistë të iniciativës “Protestoj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat