Dhjetë vite me VMRO-në, BDI-ja pa poste të rëndësishme

Maqedonia

Dhjetë vite me VMRO-në, BDI-ja pa poste të rëndësishme

Më: 26 mars 2017 Në ora: 17:58
VMRO-BDI

mNë 10 vite koalicion me VMRO-DPMNE-në, BDI ka drejtuar kryesisht ministri sikur ajo e Ekologjisë, Ekonomisë, Arsimit dhe Pushtetit lokal.

Ndër të vetmet më seriozet kanë qenë dikasteret e Mbrojtjes dhe Shëndetësisë. Edhe pse në fushata elektorale BDI kishte premtuar drejtimin e ministrive më serioze, asnjëherë nga partia e Ahmetit nuk u drejtuan ministritë si ajo e Brendshme, e Jashtme ose ministria e Financave. Mes luftës për poste serioze dhe mungesës së kuadrove adekuat, analistët thonë se gjithçka varet nga marrëveshja mes partnerëve.

“Ka njerëz që mund të marrin përgjegjësi dhe të drejtojnë dikaster të rëndësishëm. Besoj se ministria e Financave kësaj radhe duhet të udhëhiqet nga shqiptarët. Edhe siç është parashikuar në deklaratën e përbashkët barazia ekonomike, mendoj se ministri shqiptar i financave do të kontribuonte që shqiptarët të mos diskriminohet siç janë diskriminuar deri tani”, tha Ylber Sela, analist.

Nga ana tjetër, Agim Jonuz fajin e hedh tek përbërjet institucionale, duke mos dalluar ministritë sipas rëndësisë së tyre.

“Institucionet në brendësi janë të kalbura. Nuk do të thotë që nëse një shqiptar vjen në krye të ministrisë së Jashtme, të Brendshme, të Mbrojtjes ose ndonjë institucion tjetër të rëndësishëm, cilësia e tij do të matet me atë se çfarë punon. Ai mundohet të punoj por secili mund realizohet në institucione të shëndosha dhe që funksionojnë. Sipas kushtetutës, kryetari i kuvendit është njeriu i dytë në shtet, menjëherë pas presidentit”, u shpreh Agim Jonuz, analist.

Nga viti 2002-2006 dhe 2008-2016 BDI ka udhëhequr me 6 poste të zëvendëskryeministrit në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sekretariatin për Çështje Evropiane. Në të njëjtat periudha për 4 mandate BDI ka pasur 21 poste ministrore kryesisht në Arsim, Ekologji, Punë dhe Politikë Sociale, Ekonomi dhe Pushtet Lokal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat