Rritet numri i zjarreve në Pollog, ankohen zjarrfikësit

Maqedonia

Rritet numri i zjarreve në Pollog, ankohen zjarrfikësit

Më: 15 prill 2017 Në ora: 15:22
Ilustrim

Muajt e pranverës kur edhe fillon pastrimi i arave dhe livadheve është shtuar tej mase numri i zjarreve si nëpër fushat e Pollogut, ashtu edhe në malësinë e Sharrit. Gjithashtu shqetëson fakti që këtë vit është dyfishuar edhe numri i zjarreve në objektet e banimit dhe lokalet afariste. Zjarrfikësit nga ana tjetër ankohen për mungesë të kushteve dhe pajisjeve gjë që ndikon në efikasitetin e punës së tyre.

“Kemi 150 intervenime që në krahasim me vitet e shkuara ky numër është shumë më i madh. Ne jemi duke intervenuar në paraqitjet e zjarreve me ato pajisje që i kemi, por na shqetëson fakti se shumë nga zjarret që paraqiten këtë vit janë nëpër objekte banimi apo objekte afariste me ç’rast na duhet edhe pajisje më të sofistikuara më bashkëkohore sepse edhe këto që i kemi i kemi pajisje të vjetruara. Jemi në hall të madh na duhet një automjet special kur duhet të intervenojmë nëpër ndërtesa të larta”, deklaroi për Alsat-M, Uka Aliti, kryeshef i Njësisë Kundër Zjarrit Tetovë.

Kushtet e rënda ku qëndrojnë dhe mungesa e hapësirave për stërvitje gjithashtu ndikon në punën e tyre sqarojnë zjarrfikësit.

Me rritjen e qytetit dhe shtimin e komunave në rajonin e Pollogut është shtuar edhe nevoja për krijimin e pikave të reja të zjarrfikësve, sidomos në komunën e Bogovinës dhe atë të Tearcës që janë më larg qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat