Lëvizja për reforma PDSH i dërgon letër anëtarëve të PE-së për gjendjen në Maqedoni

Maqedonia

Lëvizja për reforma PDSH i dërgon letër anëtarëve të PE-së për gjendjen në Maqedoni

Nga: A.M. Më: 3 maj 2017 Në ora: 18:49
Lideri i LR-PDSH-së Ziadin Sela i përgjakur

Lëvizja për reforma PDSH i ka dërguar një letër anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme në të cilën është shkruar për situatën në Maqedoni.

Në letrën e shkruar nga Arben Fetai i cili është përfaqësues në Bruksel e ka dërguar të Arben Taravarit, Sekretar gjeneral thuhet se Z. Sela u rrah nga dhjetëra terroristë me çdo gjë që mund të merrnin në duart e tyre, deri në momentin e alivanosjes.

Po ashtu thuhet se trupi i Selës pa ndjenja u tërhoq nëpër korridoret e Parlamentit nga terroristët të cilët e lanë atë  për të vdekur derisa ata largoheshin.

Letra e plotë:

Letër dërguar anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme

Të nderuar,

Anëtarë të Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit evropian;

Anëtarë të Delegacionit për Maqedoninë të Parlamentit evropian;

Përfaqësues të Përhershëm te 28 shteteve anëtare te BE-se ne Bruksel,

Deputet të Parlamentit belg;

Po shkruaj t’ju lajmëroj për situatën jashtëzakonisht alarmante në Maqedoni pas asaj që mund arsyeshëm të kualifikohet si një sulm terrorist në Parlament dhe mbi krerët e shumicës së re, e orkestruar të enjten e kaluar më 27 prill nga VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Siç mund ta dini, qindra mbështetës të regjimit të Gruevskit, shumica e të cilave paramilitarë dhe huliganë të maskuar me kapuça, u lejuan në Parlament nga deputetët e VMRO-së dhe policisë së robëruar nga regjimi, me një mision, për të eliminuar fizikisht krerët e shumicës së re parlamentare pas zgjedhjeve së Kryetarit të ri të Kuvendit.

Objektivat e turmës ishin krerët e shumicës së re, z. Ziadin Sela (Lëvizja për Reforma – PDSH), z.Zoran Zaev (Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë) si dhe deputetët e tyre. Kjo dhunë e koordinuar dhe e pakrahasueshme në çdo Parlament të botës së lirë, rezultoi në më shumë se 100 persona të plagosur, duke përfshirë gazetarë dhe të paktën 10 deputetë, ndër të cilët z. Sela dhe z. Zaev ishin të plagosurit më rëndë.

Z. Sela u rrah nga dhjetëra terroristë me çdo gjë që mund të merrnin në duart e tyre, deri në momentin e alivanosjes. Trupi i tij pa ndjenja u tërhoq nëpër korridoret e Parlamentit nga terroristët të cilët e lanë z. Sela për të vdekur derisa ata largoheshin. Fatmirësisht, z. Selës iu ofrua ndihmë emergjente mjekësore dhe shpejt u transferua në spital ku tani po shërohet nga fraktura të shumta, plagë dhe hemorragji cerebrale. Disa fotografi të sulmit janë të bashkangjitura. Kërkoj falje për përmbajtjet grafike.

Përderisa zgjedhja e kryetarit të ri të parlamentit, z. Talat Xhaferi u njoh menjëherë si legjitime dhe sulmet ndaj deputetëve të opozitës u dënuan ashpër nga BE, SHBA, NATO, OSBE dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, regjimi akoma fajëson opozitën dhe nuk arrin të arrestojë autorët e sulmit.

I ashtuquajturi President, Gjorge Ivanov dhe VMRO-DPMNE, parti të cilës ai i përket, vazhdojnë të bllokojnë transferimin paqësor të pushtetit duke refuzuar t’i japin një mandat z. Zaev për të formuar qeverinë e re. VMRO-DPMNE vazhdon të këmbëngulë që vendi të mbajë zgjedhje të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit të vitit të kaluar, rezultat i të cilave e dërgon VMRO-në në opozitë.

Duhet të theksohet këtu se vendi ka qenë në krizë që nga janari i vitit 2015 kur z. Zaev filloi të lëshojë dhjetëra përgjime që kanë hedhur dritë mbi robërinë totale të shtetit nga VMRO, që konsolidoi një regjim të bazuar në autoritarizëm, korrupsion, mashtrim elektoral dhe ndërhyrje politike në gjyqësor, mediat dhe sektorin privat. Në korrik të vitit 2015, BE ndërmjetësoi një marrëveshje mbi dorëheqjen e hershme të Gruevskit dhe një qeveri teknike për të sjellë vendin në zgjedhjet e përgjithshme, si dhe krijimin e një Prokurorie Speciale Publike (PSP) për të hetuar krimet e theksuara në përgjime.

Zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit 2016 përmbysën qeverinë e Gruevskit. VMRO fitoi 51 nga 120 vende parlamentare dhe nuk ishte në gjendje të gjejë një partner për të formuar qeveri në afatin e paraparë kushtetues. Nga ana tjetër z. Zaev mblodhi nënshkrimet e deputetëve për një qeveri të re koalicioni, duke hapur kështu rrugën për tranzicionin demokratik të kërkuar nga populli i Maqedonisë. Pavarësisht frikësimeve dhe bllokadës së parlamentit nga VMRO-DPMNE, të enjten e kaluar, shumica e re e zgjodhi një kryetar të ri të parlamentit, si një hap i rëndësishëm drejt formimit të qeverisë së re.

Duke pasur parasysh reagimet e VMRO-DPMNE që nga sulmi ndaj Parlamentit dhe këmbëngulja e tyre e vazhdueshme për të përsëritur zgjedhjet parlamentare, kemi të gjitha arsyet për të besuar se do të vazhdojnë manipulimin e zyrës së Presidentit të shtetit me qëllim të bllokimit të mëtejshëm të bartjes së pushtetit, duke shkelur plotësisht Kushtetutën.

Strategjia e këtij regjimi është të krijojë kaos në shtet duke përshkallëzuar krizën nga ajo politike në një krizë ndëretnike si dhe përgatitja e regjimit për të shpallë gjendjes të jashtëzakonshme në shtet, me një qëllim të vetëm, për të qëndruar në pushtet. Arsyeja e vetme e këtij bllokimi është fakti që disa figura të larta të VMRO-DPMNE-së, duke përfshirë edhe vetë Nikola Gruevskin dhe shoqëruesit e tij të ngushtë, tani po përballen me hetime penale dhe aktakuza nga Prokuroria Speciale pas zbulimeve të përgjimeve.

Maqedonia, një kandidate zyrtare për anëtarësim në BE që nga viti 2005, është mbajtur peng nga ky regjim për më shumë se një dekadë. Si shumicë e re në Kuvendin e Maqedonisë, ne jemi të vendosur të përcaktojmë në realitet vullnetin e popullit të Maqedonisë për një rotacion demokratik të pushtetit dhe një kthim në normalitet sipas vullnetit të shprehur në zgjedhjet e 11 dhjetorit duke i dhënë mbështetje të plotë Prokurorisë Speciale Publike për të kryer mandatin e saj.

Bashkimi Evropian, i cila mbetet aktori kryesor i stabilitetit në rajon, ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi gjatë gjithë kësaj krize. Megjithatë, duke pasur parasysh peshën ekstreme të situatës, ne i bëjmë thirrje BE-së që të përshpejtojë në mënyrë urgjente reagimin e saj dhe të mbështesë aktivisht formimin e qeverisë së re. Kjo do të thotë që Gruevski duhet të shkojë dhe ai duhet të shkojë tani.

Nëse pengesa vazhdon më tej edhe në ditët në vijim, presim që BE të japë Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së një sinjal të qartë se ata duhet të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe rotacionin demokratik të pushtetit, përfshirë këtu, nëse është e nevojshme edhe imponimin e spektrit të plotë të sanksioneve të BE-së, kundër zyrtarëve të VMRO-së që bllokojnë procesin demokratik.

Së fundmi, ne i bëjmë thirrje BE-së që të intensifikojë angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të ripohojë përkushtimin e saj të qartë për zgjerimin. Paqja dhe stabiliteti janë në rrezik në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë Evropën.

Mos hezitoni të na kontaktoni nëse keni nevojë për ndonjë informacion të mëtejshëm.

Ju falënderojmë për konsideratën tuaj.

Arben Fetai

Përfaqësues në Bruksel

Në emër të Arben Taravarit, Sekretar gjeneral

Lëvizja për reforma PDSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat