Maqedoni, partitë nuk zbulojnë detaje nga takimi sekret

Maqedonia

Maqedoni, partitë nuk zbulojnë detaje nga takimi sekret

Më: 14 maj 2017 Në ora: 15:30
Partite politike

Partitë parlamentare në Maqedoni u takuan një ditë më parë larg syrit të opinionit, ndërsa nuk dihet nëse konsultimet, përmbajtja e të cilave nuk është bërë e ditur kanë vazhduar edhe sot.

Asnjëra nga partitë nuk deshi të komentojë ose të japë detaje nëse në takimin “sekret” kanë arritur ndonjë marrëveshje paraprake në prag të koordinimit të së hënës me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.

Takimi në Kuvend bëhet më qëllim që partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që të mund të vazhdohet mandati i krerëve të komunave dhe këshillave komunal. VMRO-DPMNE-ja kërkon nga shumica parlamentare që urgjentisht të lejojë funksionimin e pushtetit lokal, të votohet për vazhdimin e mandatit të krerëve të komunave dhe të caktohet datë më e afërt për lokalet.

“LSDM-ja nga frika e ballafaqimit me qytetarët po tenton të shtyjë afatin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. LSDM duhet ta marrë guximin dhe të paktën njëherë interesat shtetërore t’i vendos përpara atyre partiake “, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër LSDM-ja thotë se bllokimi i komunave nuk ndodh për fajin e tyre, por për shkak të bllokimit të të gjitha proceseve në Maqedoni nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe VMRO-ja.

“Është mëse e domosdoshme që Gjorge Ivanov ta jap mandatin menjëherë me çka do të mundësohej që Zoran Zaev shpejt ta formojë Qeverinë dhe më pas në mënyrë ligjore të përcaktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”,përgjigjen nga LSDM.

Ndërkohë BDI-ja pret që në takimin e radhës përfaqësuesit politik të arrijnë konsensus për datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“BDI është për arritje të një konsensusi ndërpartiak nën koordinimin e kryetarit të Kuvendit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Jemi të bindur se Xhaferi ditëve në vijim do të arrijë t’i harmonizoj qëndrimet e partive politike për një datë konsensuale”, shprehen nga BDI.

Analistët ndërkohë presin që në takimin e së hënës VMRO-DPMNE-ja ta imponojë temën e lokaleve si një lloj kaosi.

Taktika të tilla për të realizuar strategjinë e VMRO _ DPMNE-së që të mos formohet qeveria dhe të mos funksionoj drejtësia do të ketë dhe në kuadër të kësaj duhet të jetë e kujdesshëm çdo elitë politike në këtë rast edhe LSDM edhe partitë shqiptare që të mos bëhen peng ose proces ose në formë indirekte dorë politike që i kontribuon idesë së VMRO – DPMNE-së për të vazhduar kaosin politik – tha analisti Bashkim Bakiu.

Në 15 maj skadon mandati i kryetarëve të komunave dhe këshillave komunal, që do të thotë se pas kësaj date do të ketë bllokim pothuajse të tërësishëm të shërbimeve komunale, ndërsa rreth 50 mijë qytetarë do të mbesin pa paga mujore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat