PSP sërish kërkon paraburgim për Sead Koçan

Maqedonia

PSP sërish kërkon paraburgim për Sead Koçan

Më: 17 maj 2017 Në ora: 17:37
Sead Koçan

Tek gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Kushtetuese sot sërish u debatua për kërkesën e Prokurorisë Speciale Publike për paraburgim të Sead Koçanit, i cili është i dyshuari i parë në rastin “Trust”.

Prokurori i PSP-së Gavrill Bubevski pas përfundimit të seancës gjyqësore deklaroi se mbrojtja me kërkesë të Gjykatës ka dorëzuar njoftim për gjendjen shëndetësore të Koçanit. PSP ka shfaqur dyshim në dokumentacionin mjekësor, për çfarë arsye është kërkuar që mjeku i cili e mjekon Koçanin të thirret para gjykatësit që të tregojë se për çka saktësisht bëhet fjalë. Propozimi i këtillë është refuzuar nga gjykatësi, me ç’rast kanë kaluar në analizë të dëshmive të Gjykatës Supreme, e cila e shfuqizoi paraburgimin për Koçanin.

Pritet që gjatë ditës Gjykata të marrë vendim për atë se nëse do ta pranojë ose do ta refuzojë kërkesën e PSP-së për paraburgim të Koçanit. Gjykatësi i procedurës paraprake ka afat prej gjashtë orëve që ta marrë vendimin, por mendoj se për shkak se i dyshuari sot nuk ishte i pranishëm në Gjykatë, ky afat do të prolongohet”, tha prokurori Bubevski.

Avokati i Koçanit, Nikolla Dodevski, deklaroi se gjendja shëndetësore ka qenë jashtëzakonisht serioze dhe se kjo është arsyeja që biznesmeni ka qenë më shumë se dy muaj jashtë shtetit, njofton AIM.

Vendimi i parë për paraburgimin u soll në mars. Koçan nuk ishte i kapshëm për organet e ndjekjes pothuajse dy muaj, por edhe krahas kësaj Gjykata Supreme ia shfuqizoi paraburgimin dhe e ktheu rastin në vendosje të sërishme. Mbrojtja e Koçanit pohonte se ai është në udhëtim zyrtar. Koçan në Maqedoni është kthyer të premten në mesnatë dhe menjëherë është paraqitur në Klinikën e kardiologjisë në Shkup.

Ndërkohë në Gjykatën Penale është formuar këshill i ri penal sipas radhitjes së re të kryetarit të GJTHSH-Shkupi 1, Stojançe Ribarev. Këshilli i ri penal lëndën e ktheu tek gjykatësi i procedurës paraprake.

Koçan është i dyshuar në hetimin e PSP-së në të cilën janë të dyshuar edhe subjektet juridike “Transmet”, “Sileks nemetali ST” dhe “VATO” për dokumente të falsifikuara për pjesëmarrje në tender të Centraleve të Maqedonisë (ELEM). Sipas PSP-së, konsorciumi nga tre firmat ka realizuar dobi pronësore kundërligjore në vlerë prej rreth 17 milionë euro gjatë furnizimit publik për gërmim të skorjeve në minierën “Suvodoll” në nëntor të vitit 2011.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat