Memeti: Institucionet më injorojnë dhe më kërcënojnë

Maqedonia

Memeti: Institucionet më injorojnë dhe më kërcënojnë

Më: 27 maj 2017 Në ora: 20:57
Ixhet Memeti, Avokat i Popullit

Kur kishte filluar publikimi i të ashtuquajturave bomba apo materialeve të përgjuara, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, së bashku me ekipin e tij kishte hapur disa procedura për shkeljen e privatësisë të disa personave të cilët kanë qenë të përgjuar. Siç deklaroi ai, këto procedura i ka hapur në bazë të detyrës zyrtare, por edhe me kërkesë të disa gazetarëve dhe qytetarëve të cilët kanë qenë cak i këtij skandali. Siç thotë ai, është shumë rëndë që të kryhen hetime në institucione të cilat janë të mbyllura për bashkëpunim.

“Filluam me procedurat, megjithatë shumë rëndë shkonte. Morëm letra të ndryshme. Një letër erdhi edhe nga DSK-ja në të cilën thuhej, as mos mendoni edhe një herë të na lajmëroheni dhe të kërkoni diçka të tillë nga ne”, tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Por skandali i përgjimeve është vetëm një nga shumë rastet në të cilët qytetarët e Maqedonisë janë të dëmtuar, ndërsa Avokati i popullit si institucion nuk ka pasur asnjëfarë bashkëpunimi me institucionet, dhe siç thotë ai, ata e kanë injoruar krejtësisht.

Ai flet edhe për llogaritjen e tatimit në mënyrë të paligjshme të qytetarëve nga ana e Drejtorisë për të Hyra Publike, llogari të bllokuara në mënyrë të paligjshme nga ana e përmbaruesve, fatura të paligjshme nga ana e kompanive komunale higjienike dhe parregullsi të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat