Zbardhen emrat e disa kandidatëve të LR-PDSH për kryetarë komunash, ja kush janë?!

Maqedonia

Zbardhen emrat e disa kandidatëve të LR-PDSH për kryetarë komunash, ja kush janë?!

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 21:01
Ziadin Sela

Deri në fund të gushtit priten që partitë politike të përfundojnë me emrat e kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale të 15 tetorit, pasi që KSHZ prej më 21 gusht deri më 9 shtator do të fillojë me inspektimin e listës së kandidatëve.

Partitë politike të kontaktuara nga Portalb.mk, theksojnë se ende janë në proces të përzgjedhjes së kandidatëve të mundshëm dhe përgatitjes për zgjedhjet lokale, ndërkaq në fund të gushtit pritet që të publikohen edhe emrat eventual të kryetarëve të komunave.

Portalb.mk, nga burimet e larta partiake të LR-PDSH-së, jo-zyrtarisht mëson disa nga emrat e kandidatëve për kryetar të komunave.

Për kandidatë të Komunës së Tetovës, përfliten 3 emra. Anëtari i Kryesisë Qendrore të LR-PDSH-së, Adnan Neziri, kryetari i Degës së Tetovës, Arif Selami dhe afaristi dhe biznesmeni, Hajrulla Asani.
Për Komunën e Çairit, LR-PDSH ende nuk ka propozime konkrete se kush do të ishte kandidat i mundshëm për në zgjedhjet lokale, por nga burimet thonë se emri që tani për tani përflitet është Bujare Abazi.
Në Dibër përflitet që të jetë kandidatë për kryetar komune, veprimtari i lidhjes shqiptaro-amerikane “Vatra”, Ibrahim Kolari.
Në Komunën e Vrapçishtit përfliten emrat e Isen Shabanit dhe Bejtulla Kamberit.
Burimet partiake për Portalb.mk thonë se në Komunën e Gostivarit, mund të kandidohet ministri aktual i Shëndetësisë Arben Taravari, por ajo do të varet nga ai nëse do të pranojë. Përveç emrit të ministrit Taravari, për kryetar komune përflitet edhe emri i profesorit universitar Halil Snopçe dhe i regjisorit Sulejman Rushiti.
Për në Kërçovë LR-PDSH thotë se pajtohen që të kenë kandidat të përbashkët konsensual me partitë shqiptare, i cili do të ketë karakter unifikues, por dhe do të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë.
Në Strugë, pritet që ashtu siç është konfirmuar, të kandidojë për kryetar Komune, lideri i partisë, Ziadin Sela, megjithatë, burimet e partisë thonë se po kalkulojnë për variant tjetër të mundshëm.
“Kandidatët e tjerë për kryetarë të komunave nga LR-PDSH, të cilët nuk përjashtohet mundësia që të jenë edhe nga sektorit civil, do t’i kumtojmë në ditët në vijim, pasi që të diskutohet në Kryesinë Qendore. Nga burimet e brendshme të LR-PDSH, RDK-ja e Vesel Memedit do të nxjerrë kandidatë të vetëm në Gostivar, pasi që sipas marrëveshjes mes dy partive, nuk obligohen që të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale”, thonë burimet e Portalb.mk nga LR-PDSH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat