Cilat janë skenaret serbe me tërheqjen e gjithë stafit diplomatik nga Shkupi, flet një diplomat

Maqedonia

Cilat janë skenaret serbe me tërheqjen e gjithë stafit diplomatik nga Shkupi, flet një diplomat

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 11:07
ilustrim

Tërheqja e stafit diplomatik nga Shkupi ka qenë vendim i papritur. Lajmi ka bërë bujë edhe në mediat serbe, duke theksuar se vendimi do të sqarohet nesër, ndërsa Ministria e Jashtme e Maqedonisë është informuar shkurt se stafi diplomatik është thirrur në Beograd për konsultime.

Por diplomatë të njohur theksojnë për INA se ky vendim është taktizim serb, që bëhet nga Serbia, duke qenë një formë presioni ndaj Maqedonisë në raportet ndërshtetërore. Sipas diplomatëve, një vendim i tillë ekstrem merret vetëm në rrethana lufte dhe konflikte ndërshtetërore diplomatike.

“Ky vendim përbën skandal diplomatik, por Shkupi dhe mediat maqedonase po heshtin, sepse nuk duan të përkeqësojnë marrëdhëniet me vendin fqinj, që simbolikisht në disa rrethana konsiderohet si vëllai i madh, duke qenë ndikimi nga e kaluara. Pritet vendimi i Serbisë nesër, se çka po zihet”, theksoi për INA, një diplomat karriere, që nuk dëshiron të identifikohet.

Sipas tij, taktizimi i tillë mund të ketë lidhshmëri edhe me Kosovën, sidomos në periudhën e njohjes në UNESCO. Por, megjithatë asgjë nuk mund të presupozohet derisa nuk dalin autoritetet e diplomacisë serbe për të sqaruar vendimin.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq kohë më parë kishte shprehur kritika në adresë të Qeverisë së re në Shkup dhe ndaj kryeministrit të ri Zoran Zaev. Atasheu i sigurisë së ambasadës serbe dhe ish-zëvendëshefi i shërbimit sekret serb BIA, Goran Zhivaljeviq gjatë ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë u pa mes turmës së huliganëve natën e dhunshme në Kuvend. Më pas u publikuan edhe biseda të përgjuara mes tij dhe zyrtarëve të afërt të Qeverisë së Gruevskit, për të lobuar pro pushtetit të VMRO-DPMNE dhe kundër opozitës së asaj kohe të udhëhequr nga Zaev.

Ambasadorja e Serbisë në Shkup, Dushanka Divjak Tomiq theksoi se për çdo detaj nesër do të ketë informata shtesë nga kabineti i ministrit të jashtëm Ivica Daçiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat