Qeveria e Nikolla Gruevskit ka harxhuar 38 milionë euro për fushata në media

Maqedonia

Qeveria e Nikolla Gruevskit ka harxhuar 38 milionë euro për fushata në media

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 12:55
Nikolla Gruevski

Qeveria paraprake e udhëhequr nga Nikolla Gruevski dhe OBRM-PDUKM, në fushatat si “Ki fëmi të tretë”, “Hulumtoe Maqedoninë”, “Kundër abortit” në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 ka harxhuar gjithsej 38 milionë euro nga Buxheti i Maqedonisë, gjegjësisht para të qytetarëve, njoftoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski. Ndërsa, siç tha ai, në këtë shumë nuk janë të përfshira vitet 2006, 2007 dhe 2016 pasi që për këto vite nuk kanë arritur të gjejnë dokumente.

Fushatat qeveritare kanë shkuar në mënyrë selektive në disa televizione me koncesion kombëtar për të cilët zëdhënësi Boshnjakovski nuk deshi të jep informata. Pjesën më të madhe të financave nga kjo shumë e ka pranuar televizioni me shifrën “11” edhe atë 7 milionë euro. Poashtu, televizion kombëtar i themeluar në vitin 2012, që evidentohet me shifrën “33” pas vetëm dy vite nga themelimi, prej shtetit ka pranuar gjysmë milion euro, përkundër televizioneve tjera kombëtare që kanë pranuar nga 20 mijë euro.

Kjo mënyrë ka vazhduar edhe me televizionet rajonale, ku pas ndryshimit të udhëheqësisë, kanë filluar të marrin kontrata të rëndësishme me vlerë prej nga 15 mijë euro, ndërsa më parë kanë pranuar vetëm nga 100 euro nga Qeveria.

Zëdhënësi Boshnjakovski gjithashtu informoi se 15 milionë euro nga buxheti i Maqedonisë janë dorëzuar te disa agjencione të marketingut të afërta me pushtetin e atëhershëm, ndërsa janë dhënë edhe 200 mijë euro për hulumtimin e opinionit publik.

Mediat elektronike kanë fituar më së shumti, gjegjësisht në periudhën prej vitit 2008 deri më 2015, media të caktuara elktronike kanë pranuar 23 milionë euro nga buxheti shtetëror.

Boshnjakovski theksoi se kujdes të veçantë duhet t’i përkushtohet datës 24 dhjetor, të vitit 2008 kur nga Buxheti i RM, janë dhënë 2 milionë e 125 mijë euro për disa televizione kombëtare.

Nga Qeveria ende nuk ka vendim për atë se a do të niset proces gjyqësor kunder anëtarëve të Qeverisë së kaluar në lidhje me këto harxhime nga arka shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat