Asnjë parti në Maqedoni nuk e publikon buxhetin për fushatë

Maqedonia

Asnjë parti në Maqedoni nuk e publikon buxhetin për fushatë

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 19:44
Ilustrim

Sot filloi zyrtarisht fushata zgjedhore. Partitë janë gati për të garuar në zgjedhjet e 15 tetorit. Slloganet e partive politike gati se janë të ngjashme, duke personifikuar një mesazh idilik, të huaj për realitetin e vendit. Bashkimi Demokratik për Integrim do të dalë me moton “Bashkë për komunën që duam”. Nga kjo parti thonë se do të zhvillojnë një fushatë modeste pa shumë shpenzime, drejtpërdrejt me qytetarët mirëpo nuk bëjnë të ditur buxhetin financiar që kanë planifikuar për të shpenzuar gjatë kësaj fushate, njofton TV21.

“Kur jemi te financimi i fushatës dhe aspekteve tjera financiare sigurisht që BDI me përpikmëri dhe respekt të plotë do të zbatojë dispozitat ligjore. Ne si BDI do të kemi fushatë modeste me shpenzime të pakta por me rezultat të shumtë. Me shifra për momentin nuk mund të flas”, tha Arbër Ademi, Zëdhënës.

Nga ana tjetër OBRM-PDUKM në këto zgjedhje do të garojë nën moton “Çdoherë punë, çdoherë Maqedoni”. Edhe nga kjo parti nuk tregojnë shifra por thonë se do të shpenzojnë aq sa e parasheh ligji. Ata fushatën sot e filluan përmes një pres konference.

“Prej sot ne po ecim drejt një epokë të re, drejt fitoreve të reja, për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, me forca të reja, me energji të re shkojmë përpara. Fuqishëm ecim drejt një Maqedonie politikisht dhe ekonomikisht stabile”, tha Slavçe Trpevski, nga OBRM-PDUKM.

E ndërkohë LSDM në këto zgjedhje garon nën moton “Ofertë e ndershme”. Nga kjo parti thonë se kandidatët dhe programet e tyre do t’i japin fund epokës së kriminalitetit të Nikolla Gruevskit dhe OBRM-PDUKM-së.

“Për dallim nga kandidatët për kryetarë nga OBRM-PDUKM të cilët fushatën e tyre e filluan me konferencë për shtyp të cilët drejtohen me premtime të rrejshme nga pallati I çmuar partiak, të izoluar me kilometra nga qytetarët dhe votuesit e tyre, ndërkaq kandidatët e LSDM-së së bashku me punojnë dhe veprojnë me përgjegjësi të madhe për të zgjidhur problemet e viteve të kaluara qytetarët”, nga LSDM.

Lëvizja Besa në këto zgjedhje do të garojë nën moton “Për një jetë të re”. Nga kjo parti nuk publikojnë buxhetin financiar të cilin e kanë paraparë për këto zgjedhje pasi që sipas tyre ai deri në fund mund të ndryshojë.

Aleanca për Shqiptarët e Selës del me slloganin “Me dije dhe guxim”. Kjo parti nuk arriti të pastrojë dilemat me Aleancën tjetër për Shqiptarët të RDK-së dhe UNITETIT, duke ngelur kështu të dyja nën petkun e ngjyrës lejla.

Partia më e vjetër në bllokun politik shqiptar, PDSH garon nën moton “Vetëm drejt”.

LSDM fushatën sonte do ta fillojë në Manastir ku do të prezantojë kandidatin për të parin e Manastirit, ndërsa opozitarja OBRM-PDUKM sonte fushatën do ta fillojë në Ohër ku do të prezantojë edhe kandidatin për kryetar komune.

Bashkimi Demokratik për Integrim sot nuk do të mbajë ndonjë tubim madhështor në ndonjë komunë të caktuar por se çdo kandidat për kryetar komune do të zhvillojë aktivitetin e tij në komunën që i përket. Edhe nga Lëvizja BESA për sonte nuk ka caktuar ndonjë tubim por se do të zhvillojnë aktivitetet e tyre në çdo komunë drejtpërdrejt me qytetarët. Ndryshe Lëvizja Besa mbrëmë mbajti Konventën promovuese të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarë komunalë. Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët sonte fushatën e fillon në Tetovë, ndërsa PDSH para banorëve të Studeniçanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat