Nëntë mijë policë të Maqedonisë në gatishmëri, ja ku do të përdoren

Maqedonia

Nëntë mijë policë të Maqedonisë në gatishmëri, ja ku do të përdoren

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 00:41
Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë në bashkëpunim me OSBE-në, është duke stërvitur mbi 9 mijë policë të cilët do të angazhohen në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në tetor. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski për Radion Evropa e Lirë thotë se dikasteri që drejton ai po bën të gjitha përgatitjet përfundimtare për të pasur një proces zgjedhor të besueshëm nga të gjitha palët.

“Ne për çdo ditë e japim kontributin tonë që mos të ketë incidente, të zvogëlohet numri i incidenteve, ose të mos arrihet deri në incidente më serioze të cilat do të mund ta prishnin procesin zgjedhor. Por këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, pjesën e vet të punëve, ingjerencat që ka, autorizimet që i ka në dispozicion do t’i zbatojë, që me të vërtetë të sigurohen zgjedhje fer dhe demokratike dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, qytetarët të mund të marrin vendime”, thotë ministri Spasovski. Ndërkaq, Ismet Ramadani nga Këshilli Veri-Atlantik për Radion Evropa e Lirë thotë se marrë parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve lokale sepse vlerësohet se këto zgjedhje lokale përcaktojnë të ardhmen e partive politike, kjo e bën nënvizon ai, që i gjithë ambienti procesit zgjedhor të jetë tensionues, megjithëse çdo kush që do të shkakton incidente do të humbte përkrahjen e faktorit ndërkombëtar edhe nëse shënon fitore.

“Liderët ose udhëheqësit e partive politike gjatë këtyre zgjedhjeve nuk do të kenë guxim të japin instruksione që strukturat ose militantët e tyre të krijojnë incidente në terren, sepse në atë rast definitivisht do të humbin përkrahjen tek faktori ndërkombëtar, veçanërisht tek Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja”. “Ata (liderët politikë) janë të vetëdijshëm se nëse kjo përkrahje e faktorit ndërkombëtar humbet, atëherë çdo fitore që mund të arrihet përmes incidenteve, ajo parti politike nuk mund të ketë ardhmëri në skenën politike pa përkrahjen e ndërkombëtareve, përkatësisht atyre strukturave ku Maqedonia synon të integrohet, siç është BE dhe NATO”, thotë Ramadani. Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë Oliver Spasovski thotë se për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, rol kyç kanë partitë politike, veçanërisht reflektimi i drejtuesve të partive politike dhe kandidatëve që janë futur në garë zgjedhore.

“Këtë unë publikisht e thashë dhe, edhe një herë u bëj thirrje edhe partive politike, edhe qytetarëve, që t’i ndihmojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të kemi raport partneriteti, gjithnjë me qëllim që të sigurojmë rend dhe qetësi publike, të kemi proces të sigurt dhe të kemi ditë zgjedhjesh që do t’i plotësojë kriteret për zgjedhje fer dhe demokratike, respektivisht qytetarët të mund të vendosin vetë. Mbaroi koha kur keqpërdoreshin edhe nëpunës policie, edhe mjete teknike dhe materiale, edhe automjete, të gjitha këto në interes të partive politike. Asnjë punonjës i Policisë nuk guxon të marrë pjesë në fushatë politike për cilindo qoftë nga subjektet politike në Republikën e Maqedonisë”, thotë Oliver Spasovski. Ndryshe, nga faktori ndërkombëtar disa herë është theksuar se angazhimi i të gjithë aktorëve që janë të përfshirë në zgjedhjet vendore, për një fushatë dinjitoze dhe uljen e nivelit të gjuhës së urrejtjes, zhvillim të procesit zgjedhor në bazë të kritereve të larta demokratike, sepse sipas tyre, kjo është ajo që i hap rrugë procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat