Zgjedhjet lokale në Maqedoni, kush pritet të fitojë shumicën e komunave?

Maqedonia

Zgjedhjet lokale në Maqedoni, kush pritet të fitojë shumicën e komunave?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 tetor 2017 Në ora: 21:32
Fushata ne Maqedoni

Qytetarët e Maqedonisë më 15 tetor do t’ia mësyjnë përsëri vendeve të votimit, kësaj radhe për zgjedhjet lokale.

25 shtatori ka qenë dita kur Maqedonia zyrtarisht ka hyrë në fushatë zgjedhore, duke iu dhënë mundësinë partive politike të shpalosin programin e tyre qeverisës.

Premtimet e kandidatëve për kryetarë të komunave të ndryshme,  që nga hapja e fushatës kanë qenë nga më të ndryshme.

Ata premtojnë jetë më të mirë për qytetarët, ajër të pastër, ujë për të gjithë, investime në infrastrukturë, arsim cilësor, zgjidhjet të shpejtë të hetimeve kriminale për anëtarët e qeverisë së kaluar, investime në fusha të ndryshme ekonomike e gjëra të tilla.

Analisti politik, Xhenis Sulimani, thotë se premtimet e politikanëve duhet të merren me rezerva.

Sipas Sulimanit, ripërsëritja e premtimeve do të thotë se kryekomunarët e mëparshëm kanë punuar shumë pak.

“Përvojat nga ciklet e mëhershme zgjedhore na kanë bindur që premtimet e politikanëve duhet të merren me rezerva, për të mos thënë aspak nuk duhet besuar. Ripërsëritja e premtimeve do të thotë se kryekomunarët e mëparshëm shumë pak kanë punuar. Ndërkaq, premtimet e partive të reja, me shuma marramendëse edhe më tepër thellojnë rezervat bazuar gjithnjë në buxhetet e komunave” ka pohuar Sulimani.

Premtimet për tërheqjen e investimeve nga jashtë, Sulimani thotë se nuk lënë shumë për të dëshiruar dhe kjo për faktin se Maqedonia është vend i pa sigurt në investime.

“Zotimet për tërheqjen e investimeve nga jashtë nuk lënë shumë për të dëshiruar, për faktin se Maqedonia edhe në anketa botërore nuk është vend i sigurt për investime. Krizat e vazhdueshme ekonomiko-politike, nuk janë tregues i një vendi stabil për investime. si rrumbullaksim, premtimet e pretendentëve për pozicione komunale më tepër kanë qenë në vijën e tërheqjes së votave me cdo kusht, dhe jo të sinqerta”, ka theksuar Sulimani.

Image
Xhenis Sulimani

Ai nuk mund të japë një parashikim, se cila parti mund të fitojë shumicën e komunave, sepse, sipas tij, kjo varet nga virtytshmëria e kandidatëve.

“Nuk mund të përcaktoj se cila parti do të merrte shumicën e komunave, për arsyen se raundet e dyta janë të paparashikueshme edhe me siguri se këtu do të vijnë në shprehje koalicionet, por kuptohet edhe virtytshmëria e kandidatëve”, ka përfunduar Sulimani.

Në zgjedhjet e 15 tetorit në Maqedoni, pritet të votojnë 1.7 milion votues për të parin e komunës dhe anëtarët e këshilleve lokale në 80 komuna, përfshirë këtu edhe kryeqytetin maqedonas, Shkupin.

Votimet do të mbahen në 3.480 qendra të votimit në gjithë Maqedoninë, ndërsa rreth do t’i mbikëqyren nga 300 nga OSCE dhe Institucioni Demokratik për të Drejtat e Njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat