Aplikacioni online “Zgjedhje lokale”, për të ndihmuar votuesit e pavendosur në Maqedoni

Maqedonia

Aplikacioni online “Zgjedhje lokale”, për të ndihmuar votuesit e pavendosur në Maqedoni

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 22:02
Ilustrim

Pothuajse një muaj, aplikacioni online i quajtur “Zgjedhje lokale” është në dispozicion të qytetarëve me qëllim që ata të marrin vendim më të drejtë dhe më të lehtë për të votuar në këto zgjedhje lokale.

Ky aplikacion duhet t’u mundësojë votuesve t’i krahasojnë pozicionet e tyre me ato të kandidatëve dhe të partive që garojnë në zgjedhjet lokale. Aplikacioni është fokusuar në pesë komuna: në Aerodrom, Çair, Strugë, Strumicë dhe Rosoman, por i njëjti mund të zbatohet edhe në komunat tjera. Janë koduar gjithsej 18 kandidatë dhe lista këshilltarësh në të pesë komunat, prej të cilave 8 janë me “vetë-kodim”.

Ky aplikacion duhet ta ndryshojë tendencën e qytetarëve të cilët, në vend se të votojnë për kandidatin dhe projekte që ai ofron, votojnë vetëm për partinë politike që e mbështesin. Përmes një edukimi falas, me këtë aplikacion, gjërat mund të ndryshojnë në mënyrë drastike – shprehet Shabani në studion e Tv21. Përndryshe, inkurajon fakti që mbi 60% e personave që e kanë përdorur këtë aplikacion, i takojnë moshës deri 25 vjeç. Ata, sipas informacioneve, nuk janë të përcaktuar për asnjë parti dhe deri në momentin e votimit, nuk dinë se për kë do të votojnë.

“Bëhet fjalë për një pyetësor me 20 pyetje të selektuara dhe të kategorizuara në 8 fusha edhe atë për transparencën, sigurinë, kujdesin social, zhvillimin ekonomik, planet urbanistike. Kur plotësohen këto pyetje, qytetarët kanë mundësi që preferencat e tyre t’i tregojnë, ndërsa pas përfundimit të pyetësorit, atyre u del rezultati se me cilin kandidat kanë qëndrime të përbashkëta”, shtoi Shabani.

Përndryshe, aplikacioni online “Zgjedhje lokale” është falas dhe i njëjti nga data 25 shtator e deri në përfundimin e raundit të dytë zgjedhor, do të jetë në dispozicion të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat