Kuvend, nga e hëna partitë dorëzojnë amandanentet shtesë për ligjin e gjuhëve

Maqedonia

Kuvend, nga e hëna partitë dorëzojnë amandanentet shtesë për ligjin e gjuhëve

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 16:19
Kuvend

Partitë po punojnë për përgatitjen e amendamenteve për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve. Deri të hënën këto amendamente duhet të dorëzohen deri te kryetari i Kuvendit.

Ndonëse asnjëra prej tyre nuk kumton numrin e saktë me përjashtim të BDI-së, të gjitha partitë kanë vlerësuar se propozimi ka nevojë për amendamente. VMRO-DPMNE-ja do shfrytëzojë mundësinë e amendimit në pjesët ku sipas tyre rrezikohet gjuha maqedonase.

"Do të jenë amendamente përmbajtjesorë dhe nuk do të jenë shumë. Do të koncentrohemi në një numër të madh të neneve të ligjit në disa aspekte. Fillimisht duam të arrijmë deri tek trajtimi i barabartë i të gjitha gjuhëve në pjesën e formimit të agjencisë dhe inspektoratit. Mendojmë se agjencia dhe inspektorati duhet të kenë kompetenca për të kontrolluar përdorimin e të gjitha gjuhëve në Maqedoni"– theksoi Ilija Dimovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë LSDM-ja amendamentet do t’i parashtrojë në drejtim të pastrimit të dilemave rreth gjobave që parashikon ligji dhe akuzave se i njëjti do të cenojë karakterin unitar të Maqedonisë.

"Të qëndrojmë në fakte dhe në atë se çfarë kemi biseduar këto ditë, e që është në trend me respektimin e lirive dhe të drejtave ndërkombëtare që burojnë nga të gjitha konventat ndërkombëtare dhe legjislativja jonë. Duhet që kjo të praktikohet çdo ditë"– u shpreh Tomisllav Tuntev, Deputet i LSDM-së.

Lëvizja Besa përmes amendamenteve do të kërkojë zyrtarizimin dhe jo vetëm avancimin e gjuhës shqipe.

"Ne do të bëjmë intervenime adekuate me amendamentet tona në drejtim të zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe ashtu siç e parashikon edhe deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare" – theksoi Rexhep Memedi, deputet i Lëvizjes BESA.

Nga BDI pranojnë se ligji nuk barazon gjuhën shqipe me atë maqedonase. Sipas kësaj partie, barazisë së gjuhëve duhet t’i paraprijë ndërhyrja në Kushtetutë.

"Me këtë ligj, gjuha shqipe barazohet në të gjitha organet e pushtetit qendror në gjithë përdorimin zyrtar. Ndërsa me ndryshim të mundshëm të Kushtetutës, bëhet barazimi i plotë edhe për përdorim të jashtëm të gjuhës shqipe krahas gjuhës maqedonase. Por për këtë nevojiten 81 numra që për momentin nuk i kemi" –  deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Më 22 nëntor propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve do të hyjë në rend dite në Komisionin për Çështje Evropiane. Pas tre ditëve, i njëjti do të kalojë në Komisionin juridiko-ligjvënës dhe më pas në seancë plenare ku edhe pritet debat i gjatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat