Dujovski: Zvarritja e bisedimeve, më së shumti e pësojnë qytetarët

Maqedonia

Dujovski: Zvarritja e bisedimeve, më së shumti e pësojnë qytetarët

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 16:41
Qeveria

Qeveria është larg emërimeve të reja në vendet vakante të ekzekutivit. Dinamika e deritanishme nuk jep shpresë se së shpejti shumica mund të arrij marrëveshje për emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të cilët u larguan nga postet për shkak të kandidaturave në zgjedhjet lokale.

Aleanca për Shqiptarët, ministri i të cilës la dikasterin e Shëndetësisë për garën e Gostivarit, ka propozuar emrin e ministrit të ri edhe pse nga ky subjekt akoma zyrtarisht nuk kanë kumtuar emrin që do të zëvendësojë Arben Taravarin. E heshtur është edhe BDI. Partia Ahmetit për prioritet ka kërkim faljen nga ana e Zijadin Selës për akuzat e tij drejtuar Ali Ahmetit për 27 prillin e përgjakshëm, ndërsa për ministrin pa resor dhe zëvendësministrin e arsimit, akoma nuk është prononcuar. Ndërkohë LSDM-ja dhe kryeministri Zoran Zaev duke mos dhënë detaje për hapa konkret, mbrohen me pohimet se shumica është stabile dhe se mungesa e ministrave nuk paraqet pengesë për funksionimin e qeverisë. Zaev në një komunikim të shkurt konfirmoi për Alsat M se Aleanca për Shqiptarët ka propozuar një emër për ministër të Shëndetësisë, por të njëjtin për momentin nuk do ta bëj publik. Ndërkohë sipas analistëve me këtë neglizhencë dëmin më të madh e pësojnë qytetarët. Profesori Nikolla Dujovski vlerëson se për t’i dalë zot proceseve që e presin vendin, nevojitet Qeveri e kompletuar.

Edhe në rast propozimi të emrave, Kuvendi do ta ketë të vështirë të vendos në rend dite propozimet e Qeverisë. Duke pasur parasysh vizitat e deputetëve në Parlamentin Evropian në Bruksel, si dhe kalendarin e ngjeshur të Kuvendit deri në fund të vitit ku duhet debatuar për buxhetin, ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, nuk përjashtohet mundësia që ky vit të përfundojë duke e gjetur Qeverinë pa ministër Shëndetësie, pa ministër pa resor për investime të huaja dhe pa zëvendësministër të Arsimit. Referuar ligjit për Qeverinë, në këto raste kompetencat i kalojnë Kryeministrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat