Ivanov- Meta: Mbështetje për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Maqedonia

Ivanov- Meta: Mbështetje për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 13:03
Ivanov- Meta

Të gjithë me padurim presin që Maqedonia ta marrë vendin e merituar në NATO, por edhe të arrijë përparim të dukshëm në rrugën drejt integrimit evropian, porositi sot në Shkup presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta pas takimit me homologun e tij, presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov.

“Në këtë drejtim e nxisim vazhdimin e dialogut për tejkalimin e të gjitha çështjeve, të cilat paraqesin pengesë në këtë rrugë. Maqedonia si anëtare e NATO-s, nuk është sukses vetëm për vendin, por edhe për tërë rajonin, sepse ajo paraqet faktor për siguri në këto kohëra turbulence”, tha Ilir Meta në konferencën e përbashkët me Ivanovin.

Presidenti i Maqedonisë theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia së bashku kanë filluar rrugën drejt NATO-s, por pasi Shqipëria u bë anëtare, Maqedonia tani pret mbështetjen e saj në këtë proces.

“Maqedonia pret që Shqipëria ta tërheqë të bëhet anëtare e NATO-s, t’i ndihmojë të marrë ftesë për anëtarësim, ndërsa lidhur me BE-në gjithçka që deri tani ka bërë Maqedonia dhe të gjithë përvojën e saj i qëndron në dispozicion Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së” shtoi Ivanov.

Lidhur me mundësitë për afrimin e popujve të të dy vendeve, por edhe të komunitetit të biznesit, sipas Ivanovit, nevojitet lidhje infrastrukturore.

“Këmbimi tregtar i të dy vendeve aq të afërta nuk është në nivel të kënaqshëm”, tha Ivanov dhe shtoi se sipas komunitetit të biznesit, problem kryesor është infrastruktura, gjegjësisht lidhja hekurudhore, si dhe lehtësimi për akses deri te porti i Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat