Organizata botërore e turizmit ofron përkrahje për zhvillimin e turizmit në Maqedoni

Maqedonia

Organizata botërore e turizmit ofron përkrahje për zhvillimin e turizmit në Maqedoni

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 18:37
Foto nga takimi

Drejtimet e zhvillimit të turizmit në nivel global dhe trendet e reja për përmirësimin e shërbimeve turistike ishin temë e diskutimit në takimin në Madrid midis ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe sekretarit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai.

Ministri Bekteshi, i cili po qëndron në Madrid në ftesë të Rifait, informojnë nga kabineti i tij, e shfrytëzon vizitën e kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për promovimin e turizmit të përgjegjshëm, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, për ta paraqitur ofertën turistike të Maqedonisë dhe mundësitë për bashkëpunim në drejtim të rritjes së numrit të turistëve.

Ai e informoi Rifain për prioritetet e Qeverisë së re dhe politikat dhe masat për zhvillim më të shpejtë ekonomik, duke i dhënë theks të veçantë turizmit si një nga industritë më të rëndësishme në botë.

Rifai theksoi se Republika e Maqedonisë renditet në listën e vendeve – mike të Organizatës Botërore të Turizmit dhe u zotua për mbështetjen e plotë të kësaj organizate të madhe ndërkombëtare e cila e promovon turizmin si një katalizator për rritjen ekonomike, zhvillimin gjithëpërfshirës dhe qëndrueshmërinë e mjedisit jetësor, i siguron udhëzime dhe mbështetje sektorit të turizmit në drejtim të avancimit të njohurive dhe politikave të turizmit në mbarë botën. Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu e theksoi dëshirën e tij personale për zhvillimin më të shpejtë të turizmit në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh potencialet me të cilat disponon Maqedonia, kumtoi Ministria e Ekonomisë.

Pas vizitës në selinë e Organizatës Botërore të Turizmit, thuhet në kumtesë, ministri Bekteshi mbajti ligjëratë në temën mbi investimet para studentëve në Universitetin “Karlos i Tretë” të Madridit, një nga më prestigjiozët në Spanjë, me qëllim që t’i njoftojë nga afër me politikat, kapacitetet dhe volitshmëritë për të investuar në Republikën e Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat