Vazhdojnë përplasjet politike në komunën e Gostivarit

Maqedonia

Vazhdojnë përplasjet politike në komunën e Gostivarit

Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 22:28
Ilustrim

Njomza Shaqiri, në cilësinë e koordinatore së grupeve të këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa, Lëvizjes për Unitet Kombëtar të Turqve dhe OBRM-PDUKM-së, përmes një konference për shtyp, u prononcua para qytetarëve në lidhje me seancën e djeshme të Këshillit të Komunës së Gostivarit, me ç’rast njoftoi për obstruksionet që bëhen nga ana e këshilltarëve të LSDM-së, BDI-së dhe RDK-së kundër funksionimit normal të Komunës.

“Në seancën e djeshme njëzëri u hodh poshtë procesverbali nga mbledhja konstituive e 17 nëntorit, e që automatikisht do të duhej të nënkuptojë edhe shtyrjen e seancës për një ditë tjetër. Mirëpo, grupi i këshilltarëve të BDI-së, LSDM-së dhe RDK-së, vendosën të vazhdojë seanca dhe të udhëhiqet nga organet e zgjedhura në mënyrë jolegjitime”, theksoi Shaqiri.

Ajo sqaroi se obstruksioni i dytë, i cili rëndon shumë interesat e qytetarëve të Gostivarit ishte mos votimi që në rend dite të vihet edhe propozim-vendimi për rishpërndarje të mjeteve në buxhetin e Komunës së Gostivarit për vitin 2017, gjë që pamundëson marrjen e pagave të punonjësve të arsimit.

“Ajo që mendojmë se duhet tu sqarohet qytetarëve është prezenca e forcave të policisë rreth objektit komunal. Policia nuk është ftuar nga ana e kryetarit të Komunës, ndërsa ata kanë qenë prezent në të dy seancat e këshillit. Ne nuk kemi kërcënuar askënd, nuk kemi shantazhuar askënd dhe vlerësojmë se Këshilli është organ ku të zgjedhurit e popullit duhet të shpalosin lirshëm qëndrimet e tyre, andaj nuk e dimë se cilat janë motivet që dikush të ftojë policinë”, tha në vazhdim koordinatorja e grupit të këshilltarëve të ASH-së, Njomza Shaqiri.

Ajo kërkoi nga ata të cilët ftojnë policinë kur mbahen seancat e Këshillit, të dalin publikisht t’i njoftojnë qytetarët për motivet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat