Bojkoti i Kuvendit, praktikë e secilës parti

Maqedonia

Bojkoti i Kuvendit, praktikë e secilës parti

Më: 8 janar 2018 Në ora: 09:38
Kuvendi i Maqedonisë

Që nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më tani në çdo përbërje parlamentare ka pasur ndonjë subjekt politik, kryesisht opozitar i cili ka bojkotuar punën e Kuvendit. Ekspertët vlerësojnë se bojkoti vjen si mungesë e strategjive afatgjate për veprim. Nikolla Dujoski vlerëson se bojkotimi i punës së Kuvendit nënkupton mos përfaqësim të qytetarëve që kanë votuar për një subjekt të caktuar politik.

"Në përgjithësi LSDM, VMRO-DPMNE dhe partitë më të mëdha shqiptare gjithherë janë në ndonjë bojkot. Në njëfarë forme ky veprim mban dhe ka logjikë. Por sipas praktikës, partia e cila bojkoton, humb. Nëse kthehemi pas dy dekadave, të gjitha partitë që kanë bojkotuar Kuvendin kanë humbur. 7-8 vitet e fundit LSDM-ja ka bojkotuar Kuvendit për shkak të zhvillimeve të dhjetorit, tash këtë gjë e bën VMRO-DPMNE-ja. Për ta ndoshta është parimore por për qytetarët është jo parimore pasi po tentojnë të imponojnë politikën e tyre disa vjeçare që nënkupton presionin ndaj çdo institucioni të mundshëm", deklaroi për AlsatM analisti Nikolla Dujoski.

A ekziston në Maqedoni opozitë e vërtetë? Dujoski vlerëson se në Maqedoni opozita kryesisht ka koncept të gabuar.

"Që të kalohet nga opozita në pushtet dhe të bësh Qeveri duhet të kesh strategji të qartë për zhvillimin e vendit, raportet ndëretnike, çështjet e hapura dhe shumë çështje tjera me rëndësi për qytetarët. Vetëm në këtë mënyrë, jo vetëm VMRO-DPMNE-ja por të gjitha partitë, do të kuptojnë se mund të arrijnë në pushtet dhe më pas beteja është ta ruash pushtetin", shtoi ai.

Kryesisht pas vitit 2001, LSDM-ja ka qenë më e shquar për bojkotimin e punës së Kuvendit. Njëherë për arsye, sipas tyre të zgjedhjeve jo demokratike parlamentare dhe presidenciale në vitin 2014 dhe një herë për shkak të largimit me dhunë nga Kuvendi të deputetëve socialdemokratë më 24 dhjetor të vitit 2012, ditë kjo të cilët këta të fundit e quajtën “e hëna e zezë”. Në vitin 2006 Kuvendi u bojkotua nga BDI-ja. Arsye për këtë kishin, sipas tyre, formimin e Qeverisë jo legjitime mes VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, koalicion ky i cili zgjati 18 muaj. Së fundi VMRO-DPMNE-ja ka filluar me bojkotimin e punës së Kuvendit për shkak të arrestimit të deputetëve dhe ish funksionarëve të kësaj partie, të cilët akuzohen për ngjarjet e dhunshme më 27 prill. Pavarësisht periudhave, dialogu mes opozitës dhe pushtetit në Maqedoni gjithnjë është realizuar me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat