Gjashtë seanca gjyqësore për lëndët e PSP-së këtë javë

Maqedonia

Gjashtë seanca gjyqësore për lëndët e PSP-së këtë javë

Më: 22 janar 2018 Në ora: 09:20
Nikolla Gruevski

Në Gjykatën Penale për këtë javë janë planifikuar të mbahen gjashtë seanca gjyqësore për lëndët e Prokurorisë Speciale. Në Gjykatë seanca duhet të mbahen për lëndët “Trust”, “Spiuni”, “Transportuesi”, “TNT” dhe “Tarifa”.

Seanca për lëndën “Trust” javën e kaluar u shty për shkak të përkeqësimit shëndetësor të të akuzuarit të dytë në këtë rast, Vasilije Aviroviq.

Në lëndën “Spiuni” mes të 18 personave të akuzuar është edhe ish-gjenerali i policisë, Goran Stojkov. Ndërsa seanca e fundit para një muaji, u shty për shkak të mungesës së të akuzuarit Marijan Efremov.

Për lëndën “Transportuesi” janë planifikuar dy seanca, të martën dhe të enjten. Në këtë lëndë i akuzuar është edhe ish-kryetari i Manastirit, Vlladimir Taleski.

Më 24 janar duhet të fillojë gjykimi për lëndën “TNT”, e cila ka të bëjë me rrënimin e objektit “Kosmos”, ku i akuzuar është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski.

Ndërsa më 26 janar është planifikuar seanca gjyqësore për lëndën “Tarifa”, në të cilën të akuzuar janë ish-drejtori i ELEM, Dejan Boshkovski dhe dy persona tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat