Teprica në administratën publike në Maqedoni do të punësohet në sektorin privat

Maqedonia

Teprica në administratën publike në Maqedoni do të punësohet në sektorin privat

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 09:54
Ilustrim

Teprica e të punësuarve në administratë prej vitit 2019 do ti ofrohet sektorit privat. Përfaqësuesit e biznesit thonë se kërkesat e kompanive private për kuadro vështirë se mund të mbulohen nga sektori publik.

Teprica e të punësuarve në administratë prej vitit 2019 do ti ofrohet sektorit privat. Analizat e Shoqatës së menaxherëve të Maqedonisë tregojnë se 30 për qind e të punësuarve në sektorin shtetëror administratën shtetërore janë tepricë, ndërsa nga ana tjetër sektori privat ka nevojë për 80 mijë të punësuar të profileve të ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Regjistrit të administratës të vitit 2016, janë evidentuar 130 mijë nëpunës shtetëror, megjithatë sektori i biznesit vlerëson se së paku 160 mijë persona janë të angazhuar në sektorin shtetëror.

Ideja e qeverisë është që të sigurojë rroga më të larta përmes subvencioneve për ato që do të kalojnë të punojnë nga administrata publike në sektorin privat. Mbështetja financiare shtetërore parashikohet që të jetë përmes mbulimit në vitin e parë të pagës nga ana e shtetit, por me kusht që personi të qëndrojë në punë në kompaninë private për së paku edhe një vit. Në këtë mënyrë synohet që krahas rritjes së pagave të ulet edhe numri i të punësuarve në administratën publike. Njëherësh, punëdhënësit të ri do ti ofrohen edhe mbështetje për rritjen dhe zgjerimin e biznesit. Nga Ministria e Administratës thonë se qeveria do të subvencionojë diku tërësisht dhe diku pjesërisht pagat në sektorin privat e të punësuarve që do të kalojnë nga sektori shtetëror në sektorin privat për një periudhë të caktuar me qëllim që privati të ketë interes të angazhojë këto persona.

Nga ky dikaster thonë se nuk do të ketë lëshime nga puna dhe askush nuk do të detyrohet për një gjë të tillë që pa vullnetin e tij të kalojë nga administrata në sektorin privat. Do të ekzistojë edhe dialog në dy drejtime me komunitetit e biznesit, por edhe në bazë të analizës funksionale që do të tregojë tepricën e punonjësve në administratë që gradualisht prej vitit të ardhshëm të zvogëlohet numri i të punësuarve në administratën shtetërore.

Përfaqësuesit e biznesit thonë se kërkesat e kompanive private për kuadro vështirë se mund të mbulohen nga sektori publik , ndërsa nga ana tjetër edhe administrata vështirë se do të pajtohet të ndryshojë vendin e punës me privilegje të shumta.

“Nuk besoj se kjo ide do të realizohet në praktikë për shkak se nevojat e biznesit janë shumë më të larta se ajo çka ofron administrata. Nëse kompanive private ju nevojitet kuadro të profileve të caktuara, ato do të investojnë që nga fillimi në krijimin e kuadrit të nevojshëm. Ka mundësi që një pjesë e të rinjve të angazhuar në administratë që kanë prirje për sipërmarrje të gjejnë veten që me pako të caktuar financiare të hapin biznese të reja”, thotë për KOHA, afaristi Goran Rafajllovski.
Sipas tij një nga zgjidhjet e problemeve me tepricën e të punësuarve në administratë është që atij që ndjehet i aftë për të nisur biznes, ti ofrohen paga për 24 muaj me qëllim që të kalojë në sektorin privat, duke e ndihmuar edhe në rikualifikim si dhe me kredi të buta.

Njohësit e administratës në Maqedoni thonë se në kushte kur kemi papunësi të lartë prej afër 25 për qind si dhe ekonomi informale prej afër 30 për qind , me siguri se edhe sektori publik është tejet i madh për një ekonomi të dobët të varur nga borxhet e reja, dërgesat e mërgimtarëve , por edhe eksportin që kryesisht realizohet nga investitorët e huaj dhe shumë më pak nga kompanitë vendore. Vlerësohet se mbipunësimi më i madh mund të vërehet në ndërmarrje të caktuara publike si dhe organe, agjenci dhe organizata të tjera që paguhen nga arka e shtetit. Në 129 ndërmarrje publike në tërë Maqedoninë janë të punësuar bile 17.872 persona tregon Regjistri i të punësuarve në sektorin publik.

Kjo paraqet një dyfishim të të punësuarve në këto kompani në raport me dhjetë vite më parë. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit në vitin 2007, në ndërmarrjet publike kanë qenë të punësuar 8.299 persona, që do të thotë dyfishimin e tyre në periudhën 2007-2017. Gjithashtu, çdo e katërta kompani ka punuar me humbje në vitin e kaluar . Nga ana tjetër vetëm në shëndetësi përkundër nevojës së madhe për punësimin e motrave medicinale, të mjekëve të përgjithshëm që me kohë përmes një procesi të gjatë dhe mundimshëm do të specializojnë , por edhe specialistëve të gatshëm për punë , shumë pak angazhohet një kuadër i tillë më se i nevojshëm për funksionimin e sistemit shëndetësor nën arsyetimin e mungesës së buxhetit për pagesën e tyre.

Mbingarkesë e arkës së shtetit
Mbipunësimi më i madh mund të vërehet në ndërmarrje të caktuara publike si dhe organe, agjenci dhe organizata të tjera që paguhen nga arka e shtetit. Në 129 ndërmarrje publike në tërë Maqedoninë janë të punësuar bile 17.872 persona tregon Regjistri i të punësuarve në sektorin publik . Kjo paraqet një dyfishim të të punësuarve në këto kompani në raport me dhjetë vite më parë.

Nuk dotë ketë lëshime nga puna
Qeveria do të subvencionojë diku tërësisht dhe diku pjesërisht pagat në sektorin privat e të punësuarve që do të kalojnë nga sektori shtetëror në sektorin privat për një periudhë të caktuar me qëllim që privati të ketë interes të angazhojë këto persona. Gjithashtu nuk do të ketë lëshime nga puna dhe askush nuk do të detyrohet për një gjë të tillë që pa vullnetin e tij të kalojë nga administrata në sektorin privat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat