Në Gjykatën Supreme në Athinë seancë gjyqësore për ankesën e Grujevskit dhe Boshkovskit

Maqedonia

Në Gjykatën Supreme në Athinë seancë gjyqësore për ankesën e Grujevskit dhe Boshkovskit

Më: 2 mars 2018 Në ora: 10:50
Ilustrim

Ish-shefi i DSK-së Goran Grujevski dhe kolegu i tij Nikolla Boshkovski, sot kanë ardhur në seancën gjyqësore në Gjykatën Supreme në Athinë, ku do të vendoset për ankesën e tyre për vendimin për ekstradim të gjykatës në Selanik.

Sipas programit të Gjykatës, së bashku me Grujevskin dhe Boshkovskin sot ka gjykim për edhe 18 raste të tjera.

Seanca e kaluar gjyqësore që u mbajt më 16 shkurt, u shty për shkak të periudhës së shkurtër që e kanë pasur avokatët për shqyrtimin e lëndës dhe pasi nuk ishte siguruar përkthyes në gjuhën maqedonase.

Gjashtë gjykatësit dhe prokurori, kompetent për shqyrtimin e ankesës në Gjykatën Supreme greke, e dëgjuan elaborimin e avokatëve dhe vendosën që seanca të shtyhet për dy javë, më 2 mars.

Avokatët e Grujevskit dhe Boshkovskit, që në fillim kërkuan shtyrje dhe këtë e mbështetën me faktet se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta shqyrtuar lëndën dhe për shkak të mungesës së përkthyesit nga gjuha greke në maqedonase dhe anasjelltas.

Gjykatësja konkludoi se nuk kanë pasur mundësi të përgatiten, ndërsa dy avokatët thanë se dëshirojnë që seanca të mbahet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të obligohen se për radhën tjetër do të sigurojnë përkthyes.

Në sallën gjyqësore ishte e pranishme një përkthyese, zyrtarisht e emëruar, por nga gjuha bullgare në gjuhën greke dhe anasjelltas. Tërë kohën derisa ka zgjatur dialogu midis gjykatëses dhe avokatëve ajo ka përkthyer, por nga avokatët u theksua se është e nevojshme të sigurohet përkthyes nga gjuha maqedonase.

Edhe Grujevski edhe Boshkovski në pyetjen e gjykatëses nëse dakordohen me shtyrjen u përgjigjën se po dakordohen.

Pas seancës së shkurtër dhe shtyrjes, Grujevski dhe Boshkovski nga Gjykata u transferuan në burgun e Athinës "Koridalos", ku ishin pas transferimit nga Selaniku në Athinë.

Për Grujevskin dhe Boshkovskin në Greqi zhvillohen tre procese të ndryshme që nuk lidhen me njëri-tjetrin 

Njëri është për pasaporta të falsifikuara, me të cilat janë kapur në aeroportin e Selanikut, gjykimi pas tre shtyrjeve, do të mbahet më 17 maj të këtij viti.

Rasti tjetër është për kërkesën e parashtruar për azil më 29 nëntor të vitit të kaluar.

I treti është për kërkesën nga ana e Maqedonisë për ekstradim, për të cilin Këshilli i gjykatësve në Selanik, më 5 janar vendosi që Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski të ekstradohen në Maqedoni dhe menjëherë më pas avokatët e tyre parashtruan ankesë kundër vendimit të gjykatës, që rastin ta shqyrtojë Gjykata Supreme në Athinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat