Përpjekjet për shtrirjen e ndikimit rus në Maqedoni - Bota Sot
Përpjekjet për shtrirjen e ndikimit rus në Maqedoni

Maqedonia

E enjte, 21 qershor 2018

Përpjekjet për shtrirjen e ndikimit rus në Maqedoni

Më: 7 mars 2018 Në ora: 20:39

Këshilltarë të lartë të presidentit rus Vladimir Putin kanë qëndruar së fundmi në Maqedoni tek një parti e re me qëndrime nacionaliste që në Shkup shikohet si përpjekje për shtrirjen e ndikimit rus në këtë vend të Ballkanit. Por, analistët mendojnë se këto përpjekje janë të kota pasi që popullata e Maqedonisë është e përcaktuar në masë të madhe për integrime euro-atlantike.

Përpekjet ruse për shtrirjen e ndikimit në Maqedoni nuk duket që kanë nxitur shqetësime këtu por kanë zgjuar kurreshtje për mënyrën se kë kanë zgjedhur emisarët rusë për bashkëpunëtorë në Shkup. Aleksandr Dugin, filozof dhe këshilltar i lartë i presidentit Vladimir Putin para pak ditësh në Shkup qëndroi tek një parti e re maqedonase, pa ndikim, e cila ndryshoi emrin nga Lëvizja Popullore - në “Maqedonia e Bashkuar”, sipas partisë ruse në pushtet, “Rusia e Bashkuar”.

Analistët vlerësojnë se janë të kota përpjekjet ruse për të përhapur ideologjinë, me që populli i Maqedonisë është i përcaktuar për integrimin euroatlantik të vendit.

Mirçe Adamçevski ka qenë korrespondent i shtypit maqedonas në vitet ’90 në Rusi dhe njohës i zhvillimeve të atjeshme. Ai thotë se Dugin ka qenë para ca vitesh nëpër Serbi dhe Mal të Zi për të hapur rrugët e ndkimit rus, por se kjo gjë nuk gjen mbështetje në Maqedoni, sipas analistit.

“Harrojnë rusët se Maqedonia nuk është as Mali i Zi e as Serbi, sepse në Maqedoni opinioni publik është shprehur me mbi ¾ për integrime euro-atlantike, kështu që nuk mund ta bëjnë atë që kanë bërë në Mal të Zi apo që po e bëjnë në Serbi”, thotë Adamçevski.

Analisti tjetër, Selim Ibrahimi thotë se varet nga qeveria dhe strukturat politike në Maqedoni se çfarë ndikimi mund të ketë ideologjia ruse këtu.

“Partitë politike nacionaliste maqedonase dhe një pjesë e shoqërisë civile e kanë promovuar politikën ruse në Maqedoni. Tash varet nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev se si do t’i zgjidh çështjet me vendet fqinje dhe problemet e brendëshme që mos t’i lërë hapsirë politikës ruse për të vepruar në Maqedoni”, thotë Ibrahimi.

Adamçevski thotë se rusët tash gjetën një bashkëbisedues në Maqedoni, që është Janko Baçev, një person pa ndonjë ndikim, siç shprehet analisti, ndërsa më herët komunikimin e kishin pasur, sipas tij, me partinë serbe të Ivan Stoilkoviçit, “por Aleksandër Duginit i duhej një subjekt etnik maqedonas”, thotë analisti.

Ndërkaq, zoti Ibrahimi vlerëson se angazhimet ruse në Ballkan kanë për synim kundërshtimin e politikave amerikane për një Ballkan të qetë dhe pa trazira.

Këshiltarët rusë Dugin dhe Savin u shprehën para pak ditësh në Shkup para bashkëmendimtarëve të tyre se “Rusia as nuk e pengon Maqedoninë dhe as nuk i përzihet në zgjedhjen e saj nëse dëshiron të bëhet pjesë e Natos, se për këtë duhet të vendosin vetë qytetarët e këtij vendi, por se perëndimi, sipas tyre nuk ishte një alternativë e mirë për Maqedoninë”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test